E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, Kosovës: Mbyllni centralin Kosova A

Bashkimi Europian u ka kërkuar autoriteteve kosovare të mbyllin centralin Kosova A, deri në vitin 2017, një lëvizje kjo që mund të krijojë probleme në furnizimin me energji të vendit. Sipas Komisionit Europian, Kosova A nuk plotëson standartet mjedisore.
Renzo Daviddi, Përfaqësues i KE-së në Kosovës
“Kosova A është një central që shkakton shumë ndotje me norma që janë qindra herë më të larta se nivelet e pranuara nga BE”
Niveli i lartë i ndotjes është një fakt që e pranon edhe vetë Korporata Energjetike e Kosovës.
Viktor Buzhala, Zëdhënës i KEK
"Roli kryesor që ka Kosova A është prodhimi i energjisë. Kjo na mundëson të sigurojmë energji për qytetarët. Aktualisht kemi dy gjeneratorë në punë, në një kohë që i treti do të funksionojë së shpejti. Janë aparatura shumë të vjetra, kështu që ndotja është e madhe.”
Edhe banorët në këto zona shprehen të shqetësuar. Autoritetet në Kosovë kishin planifikuar ndërtimin e një centrali me fuqi 2000 MW, një projekt që nuk u zbatua për shkak të kostos së lartë të ndërtimit. Ajo që qeveria planifikon është një central tjetër, 1000 MW, për ndërtimin e të cilit fillimisht u ofruan 4 kompani, por 2 prej tyre u tërhoqën. Kosova ka nevojë për rreth 500-650 MW energji gjatë periudhës së verës, sasi kjo që në dimër arrin 700 deri ne 1000 MW. Gjysma e kësaj sasie prodhohet nga Kosova A, që ka në përdorim 2 nga 5 impiante të ndërtuara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›