BE: Mirëpresim tryezën e Topit. Jepini fund bllokimit
Ambasadori i KE-së flet gjithashtu nga Vlora, Lohan: Po ndjekim situatën
Bashkimi Europian lëshoi dje një deklaratë zyrtare për situatën politike në Shqipëri. “Mirëpresim iniciativën e Presidentit Topi për thirrjen e një takimi midis Kryeministrit Berisha dhe kreu të Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe gjithashtu mirëpresim përgjigjet pozitive të dhëna nga dy liderët për pjesëmarrje në takim duke diskutuar mbi mënyrat që mundësojnë ecjen para sa më shpejt”, thuhet në deklaratë. Bashkimi Europian rikonfirmon perspektivën europiane të Shqipërisë dhe inkurajon veprimet që sigurojnë progresin në këtë drejtim. “Në këtë kontekst, bllokimi aktual politik, duhet të tejkalohet nga lidershipi politik në Shqipëri duke marrë parasysh të gjitha pasojat negative që mund të sjellë kjo situatë në raport me interesat kombëtare”, përfundon deklarata.
Sakaq, ambasadori Helmuth Lohan, konfirmoi dje, në Vlorë, mbështetjen për nismën e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për një tryezë mes pozitës dhe opozitës, në funksion të daljes nga kriza politike që ka përfshirë vendin. “Komisioni Europian, që, përmes komisionerit Stefan Fyler, po ndjek situatën në Shqipëri, e mirëpret nismën e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për tryezën e rrumbullakët, ku po shikon përpjekjet e të dy palëve për të marrë në konsideratë gjetjen e një zgjidhjeje për të dalë nga situata”, theksoi Lohan, që ishte i pranishëm në një simpozium të zhvilluar sot në mjediset e universitetit “Ismail Qemali”, të Vlorës, me temë “Europa mes meje dhe teje”.
Projekt ky i kryesuar nga piktori shqiptar, Fate Velaj. Ai theksoi se janë udhëheqësit politikë në Shqipëri, që duhet të gjejnë një zgjidhje dhe, sipas tij, “do ta bëjnë pa dyshim, në funksion të të ardhmes së Shqipërisë dhe integrimit të saj europian”. Për ambasadorin Lohan, integrimi i Shqipërisë në BE, varet nga përpjekjet që do të bëhen në këtë drejtim. Në fjalën e tij, Lohan nënvizoi se, Shqipëria ka aplikuar për t’u anëtarësuar në BE dhe shtetet anëtare të saj, do të vendosin nëse do të jepet statusi i vendit kandidat dhe për çeljen e negociatave për anëtarësim. Për këtë qëllim, ai evidentoi faktin se po ndiqet në vazhdimësi plotësimi i standardeve, gjë që do të realizohet edhe përmes plotësimit të pyetësorit prej 2280 pyetjesh, që i është dorëzuar qeverisë shqiptare. Në këtë simpozium, ambasadori Lohan foli për auditorin të përbërë nga studentë dhe pedagogë, intelektualë e qytetarë vlonjatë, lidhur me strukturat dhe funksionimin e Bashkimit Europian, duke evidentuar me këtë rast edhe historikun e këtij organizmi. Në këtë kontekst, Lohan u ndal në marrëveshjen e Kopenhagës, të vitit 1993, ku vendet anëtare, përcaktuan kushtet e anëtarësimit në BE të vendeve të tjera, në Traktatin e Lisbonës, ku saktësoi ndryshimet që u realizuan përmes tij etj.
#