Zgjidhet sot shkolla më e mirë e së ardhmes
Zhvillohet konkursi “Shkolla inovatore e vitit 2010”, ku 10 më të mirët janë seleksionuar mbi bazë të vizionit të tyre
“Shkolla inovatore e vitit 2010”. është ky konkursi që ka futur në garë 10 shkollat më të mira të vendit të përzgjedhura mbi bazë të rezultateve të përdorimit të teknologjisë dhe të mendimit krijues. “British Council Albania”, në bashkëpunim me “Microsoft Partners in Learning” dhe me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, në përfundim të projektit “Future School” (shkolla e së ardhmes) do të organizojë sot ceremoninë e dhënies së çmimit “Shkolla inovatore e vitit 2010”, njërës prej 10 shkollave pjesëmarrëse në këtë konkurs. Aty do të jenë të pranishëm ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Fiona McIlwham, drejtori i “Microsoft Partners in Learning” për Europën, Teo Milev dhe drejtoresha e “British Council”, Clare Sears. Në këtë ceremoni do të prezantohen projekt-propozimet e 10 shkollave pjesëmarrëse në konkurs dhe do të ndahen çmimet për shkollat më të mira.
Projekti “Future School” i iniciuar në muajin nëntor 2009, është organizuar në formën e një konkurrimi mes shkollave më të mira në Shqipëri, ku përmes një sërë aktivitetesh si workshope, trajnime e takime, të mesmet kanë përpunuar dhe paraqitur një propozim të tyre se si nëpërmjet përdorimit të teknologjisë dhe të menduarit krijues mund të arrihen rezultate më të mira në mësimdhënie dhe të arrihet niveli i shkollimit i ngjashëm me atë të shkollave europiane. Pjesëmarrësve u është kërkuar të paraqesin një vizion të tyrin mbi shkollën e së ardhmes, qoftë në aspektin e mësimdhënies me në qendër nxënësin apo në atë të menaxhimit të shkollës si institucion. Projekti “Future School” (shkolla e së ardhmes) është një bashkëpunim midis “British Council” dhe “Microsoft” në 40 shkolla të Europës Juglindore, Maqedoni, Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi. “Kjo u ka ofruar mundësi mësuesve dhe studentëve për t’u angazhuar në një projekt shkollor jo të zakontë, duke konkurruar brenda vendit me idetë dhe vizionin e tyre mbi shkollën e së ardhmes. Në rrugën e tyre drejt integrimit në BE, sfida më e madhe e vendeve të Ballkanit në përgjithësi dhe atyre të përfshira në këtë projekt në veçanti, përfshi edhe Shqipërinë, është krijimi i një ekonomie konkurruese dhe cilësia në edukim është çelësi për të arritur këtë objektiv”, shprehen organizatorët e konkursit. Sipas tyre, projekti pati qëllim avancimin e debatit, duke angazhuar komunitetin e shkollave në procesin e parashikimit të shkollave të së ardhmes dhe bashkëpunimin e ndërsjellë për të tejkaluar barrierat e realizimit të një vizioni të tillë.
#