E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE-Shqipëri, Solana kërkon ruajtjen e konsensusit politik

Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, zhvilloi ditën e djeshme një takim me sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit Europian, Havier Solana. Ata hapën dialogun politik mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Havier Solana kërkoi vazhdimin e reformave në ritmin aktual duke riktheksuar se konsensusi politik është i domosdoshëm. Ministri Basha u përqendrua në rezultatet e arritura në fushat prioritare të çështjeve të brendshme, të drejtësisë dhe në reformën zgjedhore në vend. Ai i njohu përfaqësuesit e Trojkës Europiane me arritjet e qeverisë shqiptare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, konsolidimin e reformave ekonomike dhe fiskale, si dhe ecurinë e reformës në drejtësi dhe reformës elektorale. Më tej, ministri Basha bëri një vlerësim të situatës në rajon, duke nënvizuar se Shqipëria është konsekuente në politikën e saj të jashtme për bashkëpunim të hapur dhe të gjithanshëm me të gjitha vendet, duke vendosur në krye të këtij angazhimi bashkëpunimin rajonal dhe rolin konstruktiv të Shqipërisë si një faktor sigurie dhe stabiliteti. Mbështetja e gjithanshme për shtetin e ri të Kosovës dhe perspektiva europiane e gjithë vendeve të rajonit zunë gjithashtu një vend qendror gjatë dialogut Shqipëri-BE. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Europian dhe përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Havier Solana, vlerësoi si shumë pozitive ecurinë e arritjeve të Shqipërisë dhe shprehu bindjen e tij për përfundimin me sukses të procesit të ratifikimit të MSA-së nga të gjitha vendet anëtare. Në veçanti, u vlerësua roli konstruktiv në partneritet të plotë me BE-në, që Shqipëria luan në bashkëpunimin rajonal. Trojka përshëndeti fillimin e negociatave për heqjen e regjimit të vizave si dhe ritheksoi përkushtimin e BE-së për kontributin e vazhdueshëm financiar në fushat e bashkëpunimit Shqipëri-BE.

12 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›