Zbardhet lista e ndërmarrjeve që do të privatizohen në shkurt-mars 2008
Objektet shiten në Tiranë, Durrës dhe Fier. Procedurat që duhet të ndiqen për të përfituar
Habjon Hasani
Zbardhet lista e objekteve shtetërore që do të hyjnë në fazën e privatizimit në muajt shkurt-mars. Sipërfaqet dhe objektet që kanë dalë në shitje janë në administrim të ish -Uzinës së Azotikut në Fier, Repartit të Rigjenerimit të Vajit (Fier), Shpërndarjes së Librit Shkollor (Tiranë), Librari (Durrës), Sh.a Goma (Durrës), ORMM (Durrës), Kompleksi i Hyrjes (Shkozet, Durrës), si dhe një ish-lokal shërbimesh në ish-NTAN(Kukës). Këto janë të gjitha objektet dhe sipërfaqet e nxjerra së fundi në ankand nga ana e Ministrisë së Ekonomisë dhe asaj të Financave, të shpallura publikisht nga Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronës Publike. Të gjitha këto objekte klasifikohen në listën e objekteve shtetërore, të cilat janë programuar për t’u nxjerrë në ankand në intervalin kohor 15 shkurt-15 mars, ndërsa ka filluar dhe procedura e paraqitjes së ofertave dhe shprehjes së interesit nga ana e subjekteve të interesuara për ankandet që do të zhvillohen për secilin objekt.
Afatet
Çdo person fizik apo juridik si dhe ish-pronarët e truallit të interesuar për të blerë objekte duhet të paraqesin në vendin, datën dhe orën e njoftuar pranë komisionit të ankandit paketën e tyre të shprehjes së interesit. Në këtë paketë duhet të përfshihet kërkesa me shkrim për blerjen e objektit, garancia bankare (apo mandat pagesa) në original, që vërteton ngurtësimin prej 20 për qind të vlerës totale të objektit ( Vlera totale e objektit = Vl. e mjeteve kryesore + Vl. e mjeteve të xhiros + Vl. e truallit ). Ngurtësimi bëhet në "Raiffeisen Bank" të çdo rrethi për llogari të Ministrisë së Financave Nr.0104030780 detyrimisht brenda afatit të pranimit të kërkesave. Ish-pronarët e truallit së bashku me garancinë bankare prej 20 për qind të vlerës së fillimit të ankandit (në lekë) dhe kërkesën për blerjen e objektit që shtrihet mbi tokën, ish-pronë e tij, duhet të paraqesë vendimin përkatës të Agjencisë së Kthimit dhe Kompesimit të Pronave dhe çdo dokument tjetër ligjor, të regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të shoqëruar me genplanet, plan vendosjet dhe hartën treguese që përcakton se ai është pronar i tokës. Kërkuesit për blerjen e objektit duhet të paraqesin para komisionit të ankandit dokumentin e identifikimit (letërnjoftimin, certifikatën e gjendjes civile ose një prokurë të veçantë përfaqësimi). Pjesëmarrësit në ankand, i cili tërhiqet nga ankandi pa dhënë asnjë ofertë mbi vlerën e objektit të shpallur për shitje, i konfiskohet 20 për qind e garancisë bankare të ngurtësuar (arkëtuar) për pjesëmarrje në ankand.
Kualifikimi
Një ditë pas përfundimit të afatit 30-ditor, Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike mbledh të gjithë dokumentacionin e grumbulluar për punonjësit e shoqërisë dhe ish-pronarët e truallit. Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike merr në dorëzim dhe kontrollon listën e punonjësve dhe anëtarëve të familjeve të tyre të plotësuar nga shoqëritë tregtare në 1 kopje. Ajo harton tabelën përmbledhëse (tabela nr.1) në dy kopje, duke i bashkëlidhur certifikatat e gjendjes familjare të punonjësve të shoqërisë që privatizohet; formularët e regjistrimit të kërkesave për aksione. Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike merr në dorëzim dhe kontrollon: bonot e privatizimit që shoqërojnë formularët e regjistrimit të kërkesave për aksione; destinat e bonove të privatizimit me listën përmbledhëse të tyre. Pas kontrollit dhe marrjes në dorëzim të të gjitha materialeve, Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike bën krahasimin e të gjithë treguesve për sasinë e bonove të privatizimit të dorëzuara me vlerën që rezulton nga formularët përkatës dhe tabelat përmbledhëse etj. Në fund të këtij procesi bëhet një procesverbal përsa më sipër nga Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike. Pas kësaj, Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Shërbimeve të Brendshme në Ministrinë e Financave, bën dorëzimin e bonove të privatizimit pranë Bankës së Shqipërisë. Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, brenda 10 ditëve nga data e mbylljes së regjistrimit të kërkesave, përgatit materialin përmbledhës për punonjësit e shoqërisë dhe ish-pronarët e truallit, bën llogaritjet dhe nxjerr rezultatet përkatëse. Gjithashtu brenda 15 ditëve nga data e nxjerrjes së rezultateve, Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike bën përpunimin dhe llogaritjet përkatëse, të cilat më pas i dërgon në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
BOX
Gjirokastër, në shitje aksionet e “Albtelekom”-it
Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronës Publike ka ripublikuar dhe shitjen e paketës së aksioneve të punonjësve të filialit të Gjirokastrës të shoqërisë “Albtelekom” sh.a., ndërsa ka njoftuar rifillimin e procedurave për privatizimin e paketave të aksioneve për punonjësit e shoqërisë, të cilët nuk janë përfshirë në publikimin e parë. Vlera e kapitalit fillestar është 15 miliardë lekë, ndërsa numri i aksioneve është 15 milionë. Sipërfaqja e objekteve të shoqërisë është 67 mijë e 570 metër katrorë. Ministria e Financave ka njoftuar se punonjësit e shoqërisë të pajisur me dokument identifikues duhet të paraqiten nga data 10.03.2008 deri më datën 19.03.2008 për të dorëzuar paketën e shprehjes së interesit. Në këtë paketë do të jetë e përfshirë certifikata e gjendjes familjare, lëshuar nga zyra e gjendjes civile mbas datës së parë të publikimit (10.03.2008). Ndërkohë që Shoqëria nga data 20.03.2008 deri më 04.04.2008 do të dorëzojë në Ministrinë e Financave, në Drejtorinë e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike Tiranë, dokumentacionin në të cilin përfshihen listat e punonjësve dhe të pjesëtarëve të familjes, vërtetimet për identitetin e punonjësve, periudhën e punësimit ose datën e daljes në asistencë, për trajtimin me pagesë papunësie. Punonjësit e shoqërisë nga data 05.04.2008 deri 02.05.2008 do të bëjnë regjistrimin e kërkesave për zotërim aksionesh në këmbim të bonove të privatizimit pranë Degës së Thesarit Gjirokastër, vetëm për Rrethin e Gjirokastrës.
BOX
Procedurat për shitjen e aksioneve për punonjësit e kompanisë
Me fillimin e publikimit, Ministria e Financave, Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, përcakton tipin e formularit (listën e punonjësve me anëtarët e familjes së tyre) për punonjësit e shoqërisë dhe ua dërgon atë shoqërive që do të privatizohen. Siç përcaktohet në vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.119, datë 18.3.2000, të ndryshuar, kapitulli I germa “B”, pika 4, Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike brenda 25 deri 30 ditëve nga data e parë e publikimit, pranon porositë e aksioneve nga punonjësit e shoqërive dhe anëtarët e familjeve të tyre në këmbim të bonove të privatizimit. Gjatë periudhës së pranimit të kërkesave, Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike plotëson formularin në tri kopje, me germa të mëdha shtypi, pa korrigjime, i cili nënshkruhet si nga porositësi, ashtu edhe nga punonjësit e kësaj drejtorie, duke u vulosur nga kjo e fundit. Dy kopje të formularit të plotësuar mbahen në Drejtorinë e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike dhe një kopje e merr porositësi. Në prani të porositësit, bonot e privatizimit të dorëzuara nga porositësi bëhen të pavlefshme duke e grisur deri në gjysmën e tyre vertikalisht dhe duke e vulosur me vulën e pavlefshme. Brenda ditës, Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike plotëson tabelën përmbledhëse. Data e fillimit të regjistrimit të kërkesave për aksione të shoqërive tregtare njoftohet nga Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike gjatë publikimit. Nuk lejohet të pranohen kërkesa për aksione pas datës së fundit të regjistrimit të njoftuar në publikim. Çdo kërkesë e pranuar jashtë këtij afati është e pavlefshme. Në zbatim të pikës 4, germa “C” të kapitullit I të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.119, datë 18.3.2000, të ndryshuar, Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, me shkresë, i kërkon Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe Zyrës së Urbanistikës së organeve të pushtetit vendor përditësimin e pronave të ish-pronarëve në genplanin e shoqërisë që privatizohet.
11 Mars 2008