E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: “PD-PS, jo diktat partive të vogla për reformën zgjedhore”

Presidenti: “Dy partitë e mëdha t’i rikthehen Komisionit”. Meta: “Nisma e PS-së vërtetoi paktin e fshehtë Rama-Berisha”
Shaban Sulçe

Nisur nga kundërshtitë e thella që janë shfaqur midis PD-së dhe PS-së nga njëra anë dhe partive të vogla nga ana tjetër për sa i përket reformës zgjedhore, në lojë duket se është futur edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Për të qetësuar klimën e konfliktit, Presidenti Topi u ka bërë apel dy partive të mëdha që të mos ushtrojnë diktat për reformën zgjedhore. Ndërkaq, vërehet se është thelluar edhe më shumë përçarja midis dy partive të mëdha dhe partive të vogla parlamentare. Pas kryeministrit Berisha, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, shprehu gatishmërinë e PD-së për të votuar pro nismës për ndryshimin e Kushtetutës të paraqitur nga Partia Socialiste për të përzgjedhur sistemin proporcional rajonal. Nga ana tjetër, kjo nismë është denoncuar nga kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i cili e quajti si shprehje të qartë të paktit të fshehtë Rama-Berisha në kurriz të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Presidenti Topi
Presidenti i Republikës ka kërkuar nga dy partitë e mëdha që të mos lënë jashtë vendimmarrjes dhe të mos përjashtojnë partitë e vogla për çështjet që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore. Topi ka kërkuar nga PS-ja dhe PD-ja që t’i rikthehen Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore. “Duhet patjetër që ky dialog, sipas këndvështrimit tim, të institucionalizohet, pasi ka një Komision për Reformën Zgjedhore dhe ai komision detyrimisht do ta çojë reformën deri në fund, ai duhet të funksionojë dhe nuk duhet humbur kohë. E kam thënë dhe herë tjetër, e them dhe tani dhe jam i bindur për këtë që ekziston hapësira e nevojshme, si edhe koha e nevojshme që gjërat të realizohen mirë, të realizohen në kohë dhe në funksion të atyre që ne gjithmonë u referohemi, evenimenteve të rëndësishme që kanë të bëjnë me integrimin e Shqipërisë. E rëndësishme është që gjërat, e përsëris, të mos bëhen asnjëherë me diktat, por të bëhen me mirëkuptim”.
Meta
Ndërkohë, lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka denoncuar edhe një herë paktin e fshehtë të arritur midis kryetarit të PD-së Sali Berisha dhe kryetarit të PS-së Edi Rama. Meta u ka bërë thirrje deputetëve socialistë, por edhe të gjithë anëtarëve të PS-së, që t’i bashkohen koalicionit “E majta për integrim”. “Qytetarët shqiptarë tashmë shikojnë përditë e më qartë se ajo që LSI denoncoi disa ditë më parë për një marrëveshje të fshehtë të lidershipit PD-PS po vërtetohet hap pas hapi. Kjo marrëveshje e lidershipit PD-PS, duke eliminuar totalisht Komisionin Parlamentar për Reformën Zgjedhore, është një shkelje e hapur ligjore e të gjitha procedurave parlamentare dhe e pluralizmit politik, duke përjashtuar nga dialogu dhe konsensusi të gjitha partitë e tjera parlamentare. LSI i fton të gjithë socialistët, e në veçanti deputetet e përgjegjshëm që i kanë mbetur kësaj force politike të distancohen sa nuk është vonë nga shitja e interesave të demokracisë në radhë të parë, por edhe të opozitës dhe të së majtës për qëllime jo vetëm aspak joparimore, por tërësisht personale e klienteliste”, - tha Meta.
Patozi
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, i dha dje mbështetje të plotë nismës së PS-së për të ndryshuar Kushtetutën, madje jo vetëm për çështjet zgjedhore, por edhe për çështje të tjera. “Ne do të prekim Kushtetutën dhe nuk do të ishte e udhës që për çdo nevojë momentale ne të prekim Kushtetutën. Por në këtë rast meqë ne duhet ta bëjmë, ne duhet të thërrasim në kujtesë të gjithë gamën e problemeve dhe ngërçeve politike që janë shkaktuar për shkak të keqinterpretimeve ose gropave që ka Kushtetuta në këta 10 vitet e fundit në mënyrë që me një lëvizje të zgjidhnim disa probleme njëherësh. Ajo që është më e rëndësishmja se kjo nismë po të lexohet drejtë është lamtumira e atij sistemi që ka krijuar një deviacion të madh të votës së lirë të qytetarëve, pra sistemit të Dushkut”, - tha Patozi.
PSD e PDS
Ndërkohë, kryetari i Partisë Socialdemokrate Skënder Gjinushi, i kontaktuar nga gazeta “Albania”, nuk e përjashtoi mundësinë për të mbështetur dhe për të votuar në parlament pro nismës së propozuar nga Partia Socialiste. “Jemi njohur me kërkesën e depozituar nga Partia Socialiste dhe jemi duke e shqyrtuar atë”, - tha Gjinushi. Ndërkohë, sekretari Politik i Partisë Demokracia Sociale, Artur Duçkollarri, shprehu kundërshtimin ndaj nismës së Partisë Socialiste. “Ne i bëjmë thirrje PS-së të reflektojë dhe të mos bashkohet me Sali Berishën kundër aleatëve dhe partnerëve të vet natyralë të së majtës shqiptare, në përpjekjet e tij për të mbyllur ciklin e të ashtuquajturave reforma që do të çonte në ligjërimin dhe përjetësimin e pushtetit të tij arbitrar dhe absolutist. Sali Berisha nuk i ka respektuar kurrë marrëveshjet dhe as ka për të respektuar as edhe këtë që është arritur”, - tha Duçkollari.

12 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›