E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE: Statusi, pas rezultateve konkrete në 12 kriteret

Zëdhënësi i komisionerit Fyle, Peter Stano, thekson se me gjithë përparimet që u bënë pas marrëveshjes politike të vjeshtës, kërkohen rezultate konkrete në përmbushen e kritereve.

“Dhënia e rezultateve në këto 12 prioritete kyçe do ta sjellë Shqipërinë më afër vendeve anëtare, nëse ata shohin se këto prioritete kyçe janë përmbushur, dhe nëse Komisioni propozon një vlerësim pozitiv duke rekomanduar statusin kandidat për të cilin më pas vendosin vendet anëtare, dhe nëse shohin se ka një progres të mjaftueshëm, sipas rezultateve, atëherë mund të ketë edhe rekomandim për çeljen e negociatave”, thekson ai.

Zëdhënësi shprehet se pikë së pari, fokusi duhet të jetë tek rezultatet në këto 12 prioritete, “më pas duhet pritur për raportin e progresit në tetor, e pasi të vlerësojmë progresin e arritur apo nivelin se deri ku ka përmbushur Shqipëria 12 prioritetet, Komisioni do të hartojë rekomandimin, mbi të cilin do të vendosin vendet anëtare”.

 “Por këto janë disa hapa dhe unë do të thosha që t’i marrim një nga një dhe jo t’i kapërcejmë ato, pasi çelja e negociatave për shembull është në fazën e dytë apo të tretë të këtij procesi, ndërkohë që Shqipëria ndodhet ende në fazën e parë, e cila është dhënia e rezultateve në 12 prioritete dhe puna që duhet bërë për të mundësuar marrjen e rekomandimit nga Komisioni Evropian për statusin kandidat”, shton ai për TCH. 

Zëdhënësi i Fyles, shprehet se vetëm pasi të ketë rezultate konkrete, atëherë mund të merret një vendim për Shqipërinë. “Vetëm pasi të shohim se ka rezultate, se ato janë të prekshme dhe të qëndrueshme, pasi të shohim se agjenda evropiane është me të vërtetë një agjendë ndër-partiake dhe me të vërtetë mbarë kombëtare, atëherë me kënaqësi do të mund të vlerësonim se, në rregull, Shqipëria dha rezultat dhe mund të rekomandojmë që të kalojë në fazën tjetër. Por nuk do të spekuloja mbi një ndarje të mundshme të kritereve pasi prioritetet janë caktuar dhe vetëm pasi të jepni rezultate ju mund të merrni atë që ju ka premtuar Bashkimi Evropian”, shton ai. /Start/

                                                                                             2012-03-09 16:59
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›