E Shtunë, 31 Tetor 2026

Epokë e re marrëdhëniesh me Tajlandën

Kjo vizitë shënon vizitën e parë të Ministrit të Jashtëm shqiptar ne Tajlandë, që me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve 30 vjet më parë.

Në këtë takim u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe, veçanërisht për bashkëpunimin ekonomik midis Shqipërisë dhe Tajlandës, që përbën vendin me rritjen ekonomike më të fuqishme në Azinë Juglindore. Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se marrëdhëniet ekzistuese midis dy vendeve duhet të njohin një zhvillim të ri dhe vizita e Ministrit Haxhinasto në Bangkok hap një faqe të re në bashkëpunimin dypalësh.

Kryediplomati shqiptar theksoi se forcimi i bashkëpunimit në fushën politike duhet të shoqërohet me rritjen e bashkëpunimit në fushën ekonomike. Midis dy vendeve pritet të nënshkruhet së shpejti edhe Marrëveshja për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike, si hap i parë drejt një regjimi më fleksibël drejt lëvizjes pa viza midis dy vendeve.

Ministri Haxhinasto i prezantoi Zv.Kryeministrit tajlandez, z Yuthasak Sasiprapha zhvillimet më të fundit në rajon, duke vënë theksin në kontributin që Kosova e pavarur ka dhënë në drejtim të rritjes së sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Në vazhdim, Ministri Haxhinasto kërkoi që Tajlanda të rishikojë qëndrimin e vet në dritën e zhvillimeve të fundit të marrëveshjes Kosovë- Serbi dhe të ecurisë së procesit integrues të tyre ne Evropë.

Sasiprapha shprehu vëmendjen për ndjekjen e zhvillimeve në Ballkan dhe Kosovë dhe tha se do të mundësohen kontaktet dhe komunikimet njerëzore midis dy popujve dhe, po ashtu, do të merren hapa për të lehtësuar udhëtimin e qytetarëve të Kosovës  në Tajlandë. Ministri Haxhinasto dhe Zv.Kryeministri Yuthasak Sasiprapha nënshkruan edhe Memorandumin e Mirëkuptimit për mbajtjen e konsultimeve  midis dy Ministrive te Jashtme.  /Start/

                                                                                             2012-03-09 17:29
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›