Dashamir Tahiri reagon kundër Tahir Muhedinit dhe qeverisë greke
Deputeti i PDIU, Dashamir Tahiri, reagoi sot ndaj deklaratave të presidentit të nderit të kësaj Partie Tahir Muhedini, sipas të cilit përzgjedhja e emrave për zv.ministra në qeverinë e djathtë është bërë me vendim të kryesisë së partisë.
Në vijim të replikës së sotme të Presidentit të Nderit të PDIU, dëshiroj ti bëj me dije që posti që ai mban është honorifik dhe është i lutur për të ndërhyrë në aktivitete festive dhe ngjarje të shënuara dhe jo të ngatërrohet në punët dhe aktivitetin e përditshëm të partisë sepse i ndalohet me statut, theksoi Tahiri.
Deputeti i PDIU thotë se nëse vërtet ka një mbledhje kryesie dhe vendim unanim, atëherë pse ai nuk ka marrë pjesë. Po ashtu, Tahiri thotë se nëse ka mbledhje, të bëjnë publik procesverbalin e mbajtur.
Ftoj të gjithë anëtaret e tjerë të PDIU të reflektojnë thellë sepse në momente si ky i tanishmi nevojitet të jenë transparentë përballë komunitetit tonë që na njeh dhe e di gjendjen aktuale dhe është shumë e pamoralshme të hedhim hi syve të tyre në ditë me diell, thuhet në deklaratë.
Por deputeti i PDIU ka reaguar edhe ndaj qëndrimit të Greqisë për hyrjen e tyre në qeveri. Leksionet e MPJ të Greqisë shpresojnë të vlejnë për të dy palët dhe të respektojnë marrëdhënien e reciprocitetit. Marrëdhënie e mirë është edhe të mos pengoni një deputet të parlamentit të Shqipërisë të vizitojë pronat e veta dhe shtëpinë ku kanë lindur të parët e vet në Çamëri, marrëdhënie e mirë është të mos pengoni të moshuarit tanë në kufi për të vizituar shtëpitë e tyre të lindjes, marrëdhënie e mirë është të mos mbani më në këmbë ligje lufte dhe pengesa të tjera ligjore dhe administrative kundër nesh. Marrëdhënie e mire është edhe njohja e genocidit edhe kërkimi i faljes për ato mijëra të vdekur, të përndjekur, të vrarë e të përdhunuar pa asnjë motiv. Ne nuk jemi parti ultra nacionaliste si ato që keni ju në parlamentin tuaj. Ne i respektojmë minoritetet dhe i mbështesim ato të bëhen pjesë e jetës sonë politike, tha Tahiri.