E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE: Të dyja palët dëshirojnë dialog

Zyrtarë të Bashkimit Europian kanë deklaruar të hënën për KosovaTimes se edhe Kosova, edhe Serbia kanë konfirmuar se dëshirojnë vazhdim të dialogut për çështje praktike.

Maja Kocijançiq, zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të BE-së, Catherine Ashton, ka thënë se Brukseli është i interesuar që raundi i ardhshëm të mbahet sa më shpejt që të jetë e mundshme.

“Gjatë vizitës së fundit të Robert Cooper në Beograd dhe Prishtinë, të dyja palët kanë thënë se dëshirojnë të përfshihen në dialog. Qëllimi i BE-së mbetet që të organizojë takimin e ardhshëm sa më shpejt që është e mundshme. Robert Cooper është në kontakt me të dyja palët”, ka thënë Kocijançiq.

Ajo shtoi se në ndërkohë, Bashkimi Evropian pret që grupet e përbashkëta për implementim të vazhdojnë punën për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në takimet e mëhershme në Bruksel.

Dialogu i ndërmjetësuar nga BE është ndërprerë për shkak të kushtëzimit të Serbisë që së pari të arrihet zgjidhje për pikat kufitare dhe doganore në Veri. Beogradi dhe serbë të veriut kundërshtojnë praninë e policëve kufitarë dhe doganierëve të Kosovës në Bërnjakë dhe Jarinje.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›