Vjenë: Thaçi u takua me kancelarin Fajman

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, sot është takuar me kancelarin austriak, Verner Fajman, ka njoftuar Zyra e kryeministrit në Prishtinë.
Në njoftim theksohet se “është biseduar për marrëdhëniet bilaterale të Kosovës dhe Austrisë, për thellimin e tyre, për investimet austriake në Kosovë dhe për perspektivën evropiane të Kosovës”.
Kryeministri Thaçi e ka falënderuar kancelarin Verner Fajman, për mbështetjen që Austria i ka dhënë Kosovë, prej vitit 1999 e deri tash.
Sipas njoftimit, zoti Fajman e ka vlerësuar pozitivisht gatishmërinë e Kosovës për dialog teknik me Serbinë.
Kryeministri i Kosovës po qëndron për vizitë disa ditëshe në Austri.
Pritet që ai nesër të marrë pjesë edhe në Forumin Ekonomik të Vjenës.