KLD, arenë debati për mungesën e Topit dhe rolin e Spahiut
Tiranë Mbledhja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, e thirrur për të diskutuar shqetësimin e ngritur nga tetë anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, është kthyer në një vend debati me tona të ashpra, duke mos kursyer as Presidentin e Republikës dhe as nënkryetarin e KLD-së. Ky i fundit është vënë në qendër të akuzave nga dy përfaqësuesit e qeverisë dhe Kuvendit në KLD, duke i kërkuar llogari për mungesën e Presidentit në këtë mbledhje dhe pozicionin e tij në raport me Aleancën Kuqe e Zi. Edhe pse ishte parashikuar, që në rendin e ditës të diskutohej kërkesa e anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor për mbrojtje nga akuzat e opozitës, që në nisje të saj, mbledhja e KLD-së devijoi nga thelbi. Zv.ministja e Drejtësisë, Brikena Kasmi nuk ngurroi të akuzojë ashpër segmente të caktuara të KLD-së, se prej vitesh kanë futur politikën në këtë institucion. Madje, publikisht ministrja në detyrë kërkoi dorëheqjen e të gjithë këtyre personave, por pa përmendur emra konkretë. Më e ashpër në qëndrimin e saj ishte përfaqësuesja e Kuvendit, Lefterie Lleshi, e cila i kërkoi drejtuesit të mbledhjes shpjegime përse mungonte Presidenti i Republikës, i cili njëherësh është edhe kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. “Do të doja një përgjigje të Presidentit të Republikës, që në mbledhjen kur në rendin e ditës ka çështje pikante, ai gjithmonë mungon. Ai është vetëm në rastet e promovimeve të gjyqtarëve. Por në rastin kur ne heqim imunitetin, nuk ndodhet” - tha zonja Lleshi. Në fjalën e saj, Lefterie Lleshi kërkoi nga nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, të sqarojë pozicionin e tij, i cili kohët e fundit është angazhuar edhe në një lëvizje politike. Sipas saj, gjithsekush që ndodhet në këtë institucion duhet të kryejë detyrën që i është ngarkuar, përndryshe të largohet dhe të përfshihet në angazhime të tjera. Numri dy i KLD-së, Kreshnik Spahiu deklaroi se është i gatshëm të rishohë pozicionin e tij, por nuk mund të pranojë presione apo mesazhe politike në këtë mbledhje. Situata që përfshiu fillimin e mbledhjes duket se është qetësuar pas largimit të kamerave, kur mbledhja ka vijuar normalisht dhe është diskutuar shqetësimi i trupës së Kolegjit Zgjedhor ndaj akuzave të pabaza, siç i kanë cilësuar ata të opozitës. Në një dalje publike, pas përfundimit të mbledhjes, numri 2 i KLD-së tha se debati politik, prej disa muajsh tenton të transferohet në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Por kjo gjë, sipas Spahiut, nuk mund të ndodhë dhe nuk do të ndodhë, pasi sipas tij zgjedhjet në Shqipëri nuk administrohen nga drejtësia, por nga politika. “KLD ka diskutuar gjatë dhe në konsensus ka vendosur të distancohet nga çdo lloj akuze, që adresohet tek Kolegji Zgjedhor ose te gjyqtarë në veçanti, akuzë e cila nuk është e mbështetur në fakte dhe në prova. Çdo individ apo forcë politike, nëse ka fakte konkrete për gjyqtarët t’i adresojë në prokurori, sepse KLD ka kompetencë procedimet disiplinore dhe sigurisht jo për anëtarët e Kolegjit Zgjedhor” - deklaroi Spahiu, pas përfundimit të mbledhjes së KLD-së.
Aleanca Kuq e Zi, ja replikat në KLD
Brikena Kasmi: Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë duhet të jenë në mbrojtje, aq më tepër që ju personalisht vini nga trupa gjyqësore. Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka disa vite që është kthyer në politik. Nëse KLD është kthyer në politikë, unë publikisht kërkoj dorëheqjen e të gjithë personave që kanë sjellë politikën brenda KLD-së.
Besnik Imeraj: Zv.ministrja e Drejtësisë nuk është anëtare e KLD-së dhe nuk mund të bëjë një presion të tillë.
Lefterie Lleshi: Unë nuk jam dakord që nënkryetari i KLD-së të dalë në aktivitete të tjera si përfaqësues i institucionit.
Besnik Imeraj: Jemi të papërgatitur, unë nuk di që ka dalë…
Lleshi: Nuk jam dakord që Kreshnik Spahiu të dalë me logon e KLD-së, të dalë si Kreshnik Spahiu.
Spahiu: Unë pozicionin e rishikoj, por të lutem mjaft me presion politik.
Lleshi: Unë s’po bëj presion politik…
Spahiu: Mos eja këtu me presion politik dhe me mesazhe për të përcjellë kundër veprimtarive për të drejtat e njeriut.