E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE ashpërson sanksionet ndaj Iranit

Përfaqësuesit e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë arritur një marrëveshje për një “rëndim të mëtejshëm” të masave ndëshkuese ndaj Iranit.

Lajmin e bëjnë të ditur burime diplomatike, të cilat kanë deklaruar se paketa përbën një ashpërsim të masave që aplikohen prej kohësh ndaj Teheranit.

Sanksionet kanë të bëjnë ndër të tjera me sektorin e hidrokarbureve, transaksionet financiare me bankat iraniane, kufizimet tregtare dhe transportin detar.

Gjithashtu, paketës do t’i shtohen emra dhe institucione të cilave u janë ngrirë pasuritë dhe u janë ndaluar vizat për të hyrë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Në fillim të muajit, presidenti i Iranit, Mahmoud Ahmadinejad, fajësoi “armiqtë e jashtëm” për rënien drastike që ka pësuar në kursin e këmbimit monedha e vendit, riali.

Në vetëm një javë, monedha iraniane humbi rreth 25 për qind të vlerës së saj, duke regjistruar një rekord të ulët historik në këmbimin me dollarin.

Ahmadinejad u shpreh se sanksionet ekonomike perëndimore janë të krahasueshme me një luftë ekonomike, por theksoi se kjo nuk do të detyrojë Teheranin që të tërhiqet nga projekti i tij bërthamor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›