OKB kërkon ndalimin e martesave të fëmijëve

Sipas studimit të OKB-së, “Martesat nën moshë: T’i jepet fund martesave të fëmijëve”, në vitin 2010, një e treta e të rejave të moshës 20-24 ishin martuar para moshës 18 vjeçare. Ky grup përfaqëson më shumë se 67 milionë vajza.
Megjithëse martesat e fëmijëve ndodhin kudo në botë, Kreu i Fondit të OKB-së për Popullatën, Babatunde Osotimehin, thotë se kjo dukuri ndodh më shumë në Azinë Jugore dhe në Afrikën nën-Sahariane, duke i vënë vajzat përballë pasojave shumë të rënda.
“Martesa e të miturave kërcënon të drejtat e tyre për t’u arsimuar, përfshirë këtu informimin e përgjithshëm seksual, shëndetin, mbijetesën dhe zhvillimin e tyre të plotë.
Martesa të tilla bëjnë që vajzat të mos marrin vetë vendime si koha e martesës, zgjedhja e bashkëshortit, koha e lindjes së fëmijëve dhe kohëzgjatja mes shtatzënive”, tha Osotimehin.
Osotimehin vë në dukje se vajzat e varfra janë fare pak ose aspak të arsimuara dhe jetojnë në zona rurale, ku ka më shumë të gjasa të martohen fare të reja.