BE çel aplikimet për çmimin “Integrimi i Romëve në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi”

TIRANË, 17 shkurt /ATSH/ Zyra e Bashkimit Europian në Tiranë njoftoi sot se ka hapur aplikimet për edicionin e 6-të të çmimit për Integrimin e Romëve në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi.
Sipas njoftimit të BE-së, edicioni i sivjetshëm shpërblen përfshirjen e romëve në arsim. Kjo nismë synon të sjellë ndryshimin dhe të sigurojë që romët të kenë akses të barabartë në arsim. Aplikimet janë të hapura deri më 28 shkurt përmes linkut https://europa.eu/!7MhQtQ.
Çmimi i BE-së për Integrimin e Romëve në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi, i nisur rreth 10 vjet më parë, synon të nënvizojë rëndësinë e integrimit të romëve në procesin e zgjerimit të BE-së dhe të tregojë vendosmërinë dhe përkushtimin e BE-së për përmirësimin e përfshirjes sociale të popullsisë rome në shoqëri dhe sigurimit të rezultateve të prekshme në terren.
Integrimi i romëve është një prioritet kyç në procesin e zgjerimit të BE-së dhe Komisioni Evropian është i përkushtuar të mbështesë dhe të njohë punën e bërë nga aktorët romë dhe jo-romë (p.sh. institucionet publike, kompanitë private dhe organizatat e shoqërisë civile) në këtë fushë. Çmimi i BE-së për Integrimin e Romëve në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi synon të nxisë angazhimin politik dhe të mbështesë integrimin e romëve në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi. Ai njeh iniciativat që kanë kontribuar në ndryshimin e jetës së romëve dhe që mund të përsëriten më tej.
Edicioni i parë i çmimit njohu rolin e rëndësishëm që luajnë organizatat që punojnë për integrimin e romëve. Edicioni i dytë promovoi përfshirjen, integrimin dhe fuqizimin e të rinjve romë. Edicioni i tretë iu kushtua “Heronjve të Panjohur”, grave rome, të cilat me punën dhe angazhimin e tyre përmirësuan integrimin social të romëve ose sollën ndryshime pozitive në komunitetet e tyre. Edicioni i katërt iu kushtua njerëzve të jashtëzakonshëm që promovojnë barazinë përmes punësimit dhe edicioni i pestë promovoi përfshirjen e romëve në tranzicionin e gjelbër dhe atë digjital.

/r.e/a.f/