BE dhe GIZ mbështetje administratës doganore për integrimin ekonomik rajonal

TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ Në kuadër të projektit mbështetje për integrimin ekonomik rajonal, i zbatuar nga GIZ me mbështetjen e qeverisë gjermane dhe BE, u mbajtën në Tiranë një seri takimesh me përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.
Me qëllim përmirësimin e Strategjisë Kombëtare të Menaxhimit të Riskut më 25 nëntor u zhvillua një takim me ekspertët ndërkombëtarë ku u ndanë zhvillimet më të fundit.
Përgjatë takimit u përgëzuan zhvillimet e arritura nga administrata doganore jo vetëm si institucion përgjegjës për të mbledhur të ardhurat, por veçanërisht përpjekjet për zbatimin e ligjit.
Nga ana tjetër, përgjatë takimit u vlerësua roli dhe mbështetja e administratës doganore shqiptare në integrimin ekonomik rajonal.
Në këtë kuadër, më 26 dhe 27 nëntor përfaqësues nga administratat doganore të rajonit të CEFTA-s zhvilluan takimin për të rritur më shumë bashkëpunimin në krijimin e një modeli të maturuar të menaxhimit të riskut doganor rajonal.
Gjithashtu, në fokus të këtij takimi rajonal ishte bashkëpunimi midis agjencive kufitare me qëllim për të lehtësuar në një front të përbashkët tregtinë ndërrajonale.
1 nga 4/r.e/a.f/