E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Goxhobelli: Digjitalizimi i të dhënave kadastrale prioritet, redukton abuzimet

TIRANË, 27 nëntor /ATSH/ Përmirësimi i kuadrit ligjor sipas eksperiencave më të mira, digjitalizimi i të dhënave kadastrale dhe ofrimi i tyre online janë disa nga pikat kryesore ku është fokusuar puna e Kadastrës shqiptare.

E pranishme në Komisionin e Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, drejtore e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli u shpreh se vendi ka trashëguar problematika të shumta për marrjen e pronësisë së tokës. Sipas saj, këto probleme ndeshen më shumti për tokën në zonat rurale ku nuk përputhet sipërfaqja reale me hartën, apo rastet e mbivendosjes së titujve të pronësisë, që janë çështje të gjyqësorit.

“Përshpejtimi dhe përfundimi i procesit të regjistrimit fillestar, përmirësimi dhe digjitalizimi i të dhënave kadastrale mbeten prioritet i ASHK-së. Këto nuk janë thjesht objektiva teknikë, por gurë themeli për krijimin e një sistemi të plotë, të qëndrueshëm dhe të besueshëm të pronës, që garanton të drejtat mbi pronën, redukton abuzimet, promovon transparencën dhe fuqizon zhvillimin ekonomik e social të vendit”, u shpreh Goxhobelli.

“Suksesi i këtyre proceseve lidhet me mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë Shqiptare, si dhe  angazhimin për mbështetje teknike dhe financiare nga Bashkimi Europian, në kuadër të një bashkëpunimi të gjithanshëm, për të ofruar shërbime cilësore për qytetarët dhe mbështetur reformat që shtyjnë përpara zhvillimin dhe progresin e Shqipërisë”, vijoi ajo.

“Ne synojmë që brenda vitit 2025 të bëjmë hartimin e Planit të Integrimit për pronës që do të parashtrojë problematikat dhe masat përkatëse. Ky plan do të hartohet në bashkëpunim me grupet e interesit”, u shpreh Goxhobelli.

“Gjithashtu synojmë automatizimin e shërbimeve duke eliminuar shërbimet manuale, ndërsa po punojmë për modulin e përllogaritjes së tatimit të vlerës për tjetërsimin e  pasurisë dhe regjistrimin përfundimtar bashkë me digjitalizimin e të dhënave kadastrale që do të përmirësojë ndjeshëm rritjen shërbimeve ndaj qytetarëve”, deklaroi ajo.

Po ashtu, ajo bëri të ditur në komision se “62.5% e aplikimeve për legalizim janë trajtuar nga të cilat 92% i përkasin periudhës 2013-2024, ndërsa afati për dosjet e legalizimit është parashikuar të përmbyllet në 2028”.

“Gjithashtu kemi përfunduar regjistrimin fillestar në 2779 zonave që përbëjnë 90% të zonave dhe synojmë ta mbyllim në 2026-ën”, u shpreh Goxhobelli. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›