E Shtunë, 31 Tetor 2026

“BE është gati të përshpejtojë progresin e integrimit europian të Shqipërisë”

14-04-2011 / Gazeta 55

Eduard Kukan apelon partitë politike në Tiranë që të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve vendore të 8 majit

Bashkimi Europian apelon dhe njëherë që forcat politike të tregojnë maturi dhe kulturë qytetare në 8 maj, ditën e zhvillimit të zgjedhjeve lokale të 8 majit. Kryetari i delegacionit për Evropën Juglindore të Parlamentin Evropian, Eduard Kukan deklaron se BE pret zgjedhje të lira dhe të ndershme, sipas standardeve ndërkombëtare. Ai shpreh besim të plotë për këtë, duke sjellë në vëmendje se zgjedhjet vendore zhvillohen nën praninë e vëzhguesve të shumtë të OSBE/ODIHR dhe BE-së. Kjo sipas tij, shërben si një garanci që partia e cila do humbë zgjedhjet, të mos mund të marrë qëndrimin që ka mbajtur më parë, duke kontestuar rezultatin si dhe kushtëzuar raportet me institucionet qeveritare. Në këtë sens, Bashkimi Evropian jep dhe një tjetër shenjë pozitiviteti drejt politikës shqiptare, për rritjen e vigjilencës dhe fleksibilitetit të objektivit primar politik të çdo force politike, që është pranimi i rezultatit zgjedhor si dhe respektimi i fituesit

Kukan, a do të jetë prezenca e vëzhguesve ndërkombëtarë, përfshirë këtu edhe ata europianë e rëndësishme këtë radhë për të certifikuar zhvillimin dhe rezultatin e zgjedhjeve, duke konfirmuar në fund, se rezultati është i njëjtë për të gjithë?
Disa nga kolegët e mi thonë, se vëzhgimi këtë radhë do të merret shumë seriozisht, pasi ne kemi eksperiencën e mëparshme, ku OSBE ka certifikuar rezultatin dhe zhvillimin e zgjedhjeve, por edhe me këtë, ka patur kontestime të zgjedhjeve. Pra, prezenca e vëzhguesve të OSBE/ODHIR dhe BE-së do të shërbejë si një garanci, në mënyrë që partia që do humbi zgjedhjet të mos mund të marrë qëndrimin që ka mbajtur më parë. Pra, çertifikimi i tyre do jetë i rëndësishëm, duke pritur që rezultati të pranohet nga të gjithë, nëse zgjedhjet zhvillohen siç duhet.

A është BE-ja e përgatitur për një tjetër valë kontestimi të zgjedhjeve, pasi ç’do bëhet nëse njëra palë konteston zgjedhjet?
Bashkimi Europian është gati që të vazhdojë progresin e integrimit europian të Shqipërisë. Progres-raporti do të shpallet në tetor të këtij viti, pra s’mbetet shumë kohë deri atëherë. Pra, nëse Shqipëria do të prezantojë rezultate konkrete deri në tetor, punë duhet të intensifikohet tani, se mbeten vetëm disa muaj. Nëse zgjedhjet lokale zhvillohen siç duhet, kjo do të jetë një sinjal i mirë, por jeta nuk mbaron aty. Ajo që kërkohet është rivendosja e një dialogu politik dhe funksionimi i duhur i institucioneve demokratike, si parlamenti që ishte dhe shkaku kryesor pse opinioni i Komisionit Europian për 2010 ishte i tillë. Pra, pjesa pas zgjedhjeve lokale është e rëndësishme.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›