BE, gati për një sistem të ri kontrolli të trafikut ajror
Bashkimi Europian ka përshpejtuar veprimet në lidhje me një reformë të sistemit të kontrollit të trafikut ajror, pas krizës së shkaktuar nga ndërprerja e fluturimeve në pjesën më të madhe të zonës ajrore të kontinentit, për shkak të hirit të vullkanit në Suedi. “Më e keqja tani ka marrë fund, por ende mbetet një punë e madhe për t’u bërë dhe një situatë e tërë post-krize për t’u menaxhuar”, ka deklaruar komisioneri europian i Transportit. Gjermani ftoi ekspertët e aviacionit, zyrtarët e Bashkimit Europian dhe përfaqësues të industrisë së fluturimeve që të diskutonin në lidhje me standardet e fluturimit dhe masat që duhen marrë për të menaxhuar një situatë të ngjashme në të ardhmen në hapësirën ajrore të Europës.
Dje, hapësira ajrore europiane thuajse ka funksionuar plotësisht pasi retë e shkaktuara nga hiri i vullkanit nuk kanë qenë të intensitetit të ditëve më parë të kulmit të krizës. Por për herë të parë që nga 14 prilli, që ishte edhe dita e erupsionit, aeroporti ndërkombëtar i Islandës, që ishte mbyllur për shkak të situatës, u hap pjesërisht. Sipas Agjencisë së Mbikëqyrjes së Fluturimeve, 29 mijë fluturimet e përditshme në të gjithë Eurozonën kanë rifilluar të plota. Ndërkohë, në Gjermani, ekspertët kanë deklaruar se situata e krizës dhe përballimi i saj nga vendet përkatëse ishte e vështirë dhe jo e kënaqshme. Mungesa e një rregullatori unik për trafikun ajror të kontinentit e bëri shumë të vështirë koordinimin e masave që u morën. Ndaj Europa ka nevojë për një qendër unike të koordinimit të fluturimeve dhe të politikëbërjes për sa i takon fluturimeve ajrore. Bashkimi Europian, me 27 anëtarë, ka një rrjet të tij të koordinimit me 60 qendra të trafikut dhe qindra qendra dhe kulla vrojtimi. Në kontrast me Shtetet e Bashkuara, ajo ka më shumë qendra kontrolli. Deri më tani, shtetet përbërëse të Europës kanë dashur që të veprojnë të vetme dhe secila për hesap të vet në hapësirën dhe politikën e fluturimeve ajrore. Megjithatë, të gjithë janë tashmë të ndërgjegjshëm për të përballuar kriza të befta dhe në të ardhmen duhet një koordinim shumë më i madh i politikave të fluturimit dhe marrjes së masave.
#