E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis konkursi pianistik, Frederic Chopin

Veprimtaria Organizohet në kuadër të 200-vjetorit të lindjes së kompozitorit

Në kuadrin e vitit shopenian, gjatë këtij muaji janë parashikuar të zhvillohen një sërë aktivitetesh. Në vazhdën e veprimtarive të parashikuara, duke filluar nga dita e djeshme e deri më 27 prill, në Akademinë e Arteve në Tiranë do të zhvillohet konkursi kombëtar pianistik, “Frederic Chopin”. Ky është një konkurs për pianistët e rinj, i cili parashikon edhe një koncert të laureatëve të tij në galerinë “Jozef” në Durrës, në mbrëmjen e datës 26 prill, si dhe koncertin final të tyre në datën 27 prill në Akademinë e Arteve, ku do të ndahen edhe çmimet përkatëse të konkursit. Sipas presidentes së shoqatës “Chopin” në Shqipëri, Anita Tartari, në festival do të interpretohen pjesë në piano vetëm të kompozitorit Chopin. Kremtimet e Vitit të Shopenit 2010 në Shqipëri u hapën më datën 28 shkurt me një aktivitet kulturor-artistik të organizuar nga Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me shoqatën “Frederic Chopin”, Shoqatën e Miqësisë Shqipëri-Poloni, Ambasadën e Polonisë dhe atë të Francës në Tiranë. Viti i Chopin në Shqipëri organizohet për të përkujtuar 200-vjetorin e lindjes së këtij kompozitori dhe pianisti virtuoz polak (1810-1849), ashtu sikundër po zhvillohen edhe mjaft veprimtari në vende të ndryshme të botës.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›