E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertët e huaj, optimistë për eurobondet shqiptare

Analiza “Bloomberg” dhe ekspertët besojnë se qeveria do të gjejë blerës

Agjencitë ndërkombëtare të informacionit të specializuar financiar, si dhe ekspertët e intervistuar prej tyre, janë optimistë për ecurinë e emetimit të bondeve në euro, që qeveria shqiptare ka në plan të shesë në tregun ndërkombëtar gjatë dy javëve të ardhshme. Kjo, pavarësisht se Shqipëria, sipas agjencisë “Bloomberg”, “vlerësohet nga ‘Standard & Poor’s’ katër shkallë poshtë bondeve të investueshme, në të njëjtin nivel me Bjellorusinë dhe Nigerinë dhe një shkallë poshtë Bangladeshit”.
“Kostoja e huamarrjes për vendet në zhvillim ka rënë aktualisht në nivelin më të ulët që nga viti 2007, si pasojë e rimëkëmbjes ekonomike botërore, si dhe urisë së investitorëve për të blerë asete me rrezik më të lartë”, shkruan “Bloomberg” në një lajm të publikuar të mërkurën. “Investitorët kërkojnë aktualisht nga vendet në zhvillim vetëm 2.3 për qind më shumë se sa interesat e bondeve amerikane, ndërkohë që në tetor 2008 kërkonin 8.65 për qind më shumë”, argumenton “Bloomberg”.
“Nuk kishte asnjë shans që Shqipëria të shiste bonde dymbëdhjetë apo gjashtë muaj më parë”, komentoi Nigel Rendell, një strateg financiar për tregjet në zhvillim tek investitori “RBC Capital Markets”, me bazë në Londër. “Njerëzit janë tashmë më pozitivë për të ardhmen e botës. Ka gjasa që Shqipëria do ta shesë borxhin me interesa tërheqëse [për investitorët], në krahasim me interesat e ulëta që mund të fitohen duke investuar në SHBA apo Europë”, shtoi ai ndërsa komentoi për agjencinë “Bloomberg”.

Qeveria shqiptare tentoi për herë të parë në vitin 2007 të emetojë eurobonde, por gjeti blerës vetëm mes bankave vendëse. Vitin e kaluar, emetimi i bondeve në euro rezultoi i pamundur dhe për këtë arsye, qeveria iu drejtua një grupi bankash për të marrë një kredi sindikale. Bondet janë tituj borxhi të pagarantuara dhe emetimi i tyre mund të shënojë një zhvillim të madh në historinë e Shqipërisë. Qeveria dëshiron të shesë bonde të përgjithshme prej 300-400 milionë eurosh, në tituj borxhi të emetuara me prerje minimale 50 mijë euro dhe me prerje maksimale 99 mijë euro. Por pavarësisht optimizmit të “Bloomberg”, suksesi është larg të qenit i sigurt dhe interesi pritet gjithsesi të jetë shumë i lartë. Një ligj i miratuar në Parlament sanksionon që eurobondet shqiptare nuk duhet të kenë interes më të lartë se 7.5 për qind. Jo më larg se viti 2008, Shqipëria qe në gjendje të merrte kredi me interes euribor plus 1.25 për qind, ndërsa vitin e kaluar u detyrua të marrë kredi me interes euribor plus 9.65 për qind.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›