BE i dorëzon Shqipërisë pyetësorin: Opozita të dialogojë
Mbi 2230 pyetje në 384 faqe të printuara në shumë kopje duhet të plotësohen nga autoritetet shqiptare dhe t’i dorëzohen Komisionit Evropian. Këtë dokument i dorëzoi paraditen e djeshme Kryeministrit Sali Berisha ambasadori i KE-së në Tiranë, z. Helmuth Lohan. Pyetësori përmban pyetje, përgjigjet e të cilave ndihmojnë Komisionin Evropian për të kuptuar dhe vlerësuar situatën aktuale në vend për sa i përket përmbushjes së detyrimeve në fusha të caktuara dhe perspektivën e vendit në plotësimin e standardeve për anëtarësim. Kryeministri siguroi KE-në se përgjigjet do të jenë gati për dy muaj e gjysmë, pra në fund të shkurtit, çka do të thyente edhe rekordin e Kroacisë, e cila iu përgjigj pyetësorit të saj për katër muaj. Por, z. Lohan nënvijëzoi edhe një herë rëndësinë tepër të madhe të atij që quhet kriteri politik. Në një kohë kur opozita mbetet e vendosur në qëndrimin e saj për të bojkotuar Kuvendin dhe përshkallëzim të protestave në rrugë, Bashkimi Evropian ripërsërit thirrjen për dialog politik brenda institucionit të Parlamentit. Përfaqësuesi i lartë i KE-së theksoi se ky moment shënon një hap historik në marrëdhëniet Shqipëri - BE lidhur me proceset integruese të vendit dhe ky është tregues i seriozitetit, një etapë e re kjo tepër e rëndësishme. “Vendi për debatin politik është brenda në Parlament dhe në përfundimet e BE-së, siç jeni njohur, u është bërë thirrje partive politike që të ndjekin një dialog konstruktiv në Parlament. Komisioni Evropian shpreson që kjo ngecje të tejkalohet, brenda këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm, në mënyrë që Shqipëria të vazhdojë të ecë përpara”, - deklaroi ambasadori Lohan. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha në përmbushje të plotë të asaj që ai e cilësoi angazhim madhor për vendin, i cili synon të jetë pjesë e bllokut 27 anëtarësh, u shpreh se dorëzimi i pyetësorit vjen pas vendimit të 16 nëntorit që i hapi rrugën Shqipërisë për të pranuar kërkesën lidhur me statusin e vendit kandidat, prandaj duke e cilësuar historik këtë moment, Kryeministri Berisha shprehu angazhimin e tij të plotë për të dëgjuar zërin e opozitës lidhur me problematikën që do të trajtojë pyetësori, si dhe shkoi më tej, ndërsa ftoi z. Rama për ta përshëndetur së bashku në një konferencë për shtyp atë që shefi i ekzekutivit e cilësoi kartolinë historike për të gjithë shqiptarët. Sipas Berishës, ky është një moment historik në marrëdhëniet zyrtare mes BE-së dhe Shqipërisë dhe vjen një muaj pas vendimit të Këshillit të Ministrave të Jashtëm për të pranuar kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat. “Shfrytëzoj këtë rast për të ftuar Ramën që së bashku ta përshëndesim në një konferencë shtypi si dëshmi e vullnetit për të kontribuar në integrimin evropian të vendit. Qeveria mbetet e hapur për të dëgjuar zërin e opozitës në të gjithë problematikën e pyetësorit”, - u shpreh z. Berisha. Duke shprehur gatishmërinë e qeverisë së tij, Kryeministri Berisha deklaroi në prani të përfaqësuesit të lartë të Komisionit Evropian në Tiranë se qeveria e drejtuar prej tij mbetet e vendosur në përmbushje të plotë dhe serioze të pyetjeve që përmban pyetësori në 384 faqet e tij. Berisha garantoi KE-në se qeveria do të punojë me një gjithëpërfshirje politike dhe grupeve të tjera të interesit në mënyrë që përgjigjet të jenë të gjitha të vërteta. “Siguroj z. Lohan se rreth 800 punonjës të administratës do të angazhohen në studimin dhe plotësimin e tij dhe se Komiteti Ndërministror do të shqyrtojë ecurinë e këtij procesi çdo javë. Urime për kartolinën historike që BE u solli shqiptarëve për festa”, - u shpreh z. Berisha. Dorëzimi i pyetësorit angazhon autoritetet shqiptare për përmbushjen e kritereve politike, rëndësinë e veçantë që ka sundimi i shtetit të së drejtës, institucionet demokratike, respektimi i minoriteteve dhe lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Pyetësori, Bregu: Përgjigjet, brenda marsit 2010
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, siguroi dje se përgjigjet e pyetësorit të Komisionit Evropian do të realizohen brenda 31 marsit të vitit 2010. Menjëherë pas dorëzimit të pyetësorit të KE-së, ministrja Bregu e prezantoi atë para administratës. “Kalendari i përgjigjes së pyetjeve sipas kapitujve të pyetësorit fillon nga data 16 dhjetor, ndërsa kemi parashikuar fundin e tij më datë 31 mars të viti 2010", - theksoi Bregu. Ajo shtoi se qeveria do të bëjë ç'është e mundur që çdo institucion të ketë një periudhë për t'iu përgjigjur pyetjeve me cilësi, por pa zvarritje. “Motoja jonë kryesore gjatë këtij procesi është cilësia dhe vërtetësia. Ky proces do të ketë ritëm dhe nuk do të ketë ngecje. Pyetësori përmban 2280 pyetje, të përfshira në 384 faqe dhe që janë të ndara në 33 kapituj. Ndërkohë, ka dy kapituj shtesë, për efekt të pyetësorit, një për kriterin politik dhe një për atë ekonomik”, - tha më tej ministrja Bregu. Për përgjigjet e këtij procesi janë të angazhuara 48 institucione, mbi 800 nëpunës civilë, 58 përkthyes, 27 trajnues ndërkombëtarë. Ministrja Bregu vuri në dukje se janë ngritur 35 grupe pune që funksionojnë pranë institucioneve përkatëse, ndërsa janë trajnuar deri tani 460 nëpunës për një periudhë tremujore. Bregu shprehu bindjen se çdo nëpunës i administratës do të japë maksimumin në përfshirjen në procesin e plotësimit të pyetësorit, pasi kjo duhet parë jo thjesht si detyrim institucional, por edhe përgjegjësi kombëtare për një dokument që do të pasqyrojë në Bruksel mënyrën e funksionimit të shtetit shqiptar.