Rama thërret asamblenë për ekonominë, harron kutitë
Në pikun e protestave për largimin e qeverisë dhe hapjen e kutive të votimit, PS bën çështje dite ekonominë dhe ngre një komision me ekspertë të partisë për këtë çështje. E thirrur në mënyrë urgjente, Asambleja e PS-së nuk ka marrë në diskutim as protestat dhe as rrugën për të dalë nga bojkoti i Parlamentit, por ka diskutuar vetëm për çështje ekonomike, duke zhgënjyer shumë anëtarë të saj që e kanë cilësuar një takim OJQ-je. Asambleja miratoi dje një rezolutë për ekonominë dhe ka parashtruar disa pika për të dalë nga kriza. Diskutimeve iu bashkëngjit dhe deputeti Arben Malaj, i cili deri më tani ka qenë një kundërshtar i Edi Ramës dhe i linjës që po ndiqej nga partia. Si duket ai nuk i ka shpëtuar dot tundimit për të dhënë mendimin e tij si ekspert në këtë fushë.
Kundër
Anëtari i Asamblesë Kombëtare, Ylli Manjani, tha dje pas mbledhjes së këtij forumi se u vërtetua ajo që kishte shprehur kohë më parë, se PS është kthyer në një OJQ. “Më duhet të pranoj që jam absolutisht shumë i palumtur që parashikimi që kisha bërë në mbledhjen e fundit të Asamblesë që PS është kthyer në OJQ, u vërtetua sot. U vërtetua sot me diskutimet të mërzitshme dhe të tejzgjatshme, të tipit OJQ të modelit të vjetër, ku nuk u tha asgjë e re në thelb, nuk u dha asnjë zgjidhje nga shqiptarët. Ndërkohë që sot nga Partia Socialiste të paktën unë prisja se çfarë do të bëjmë për të pastruar politikën, në mënyrë të veçantë PS, nga biznesmenët dhe për t’ia kthyer partinë qytetarëve”, - tha Manjani. Sipas tij, ajo që priste nga mbledhja e asamblesë ishte përcaktimi i strategjisë se si PS nuk do lejojë më këtë qeveri të qeverisë. “Prisja sot për të diskutuar se çfarë do të bëjmë për të bashkuar të majtën dhe për të bashkuar forcat se si do të vijnë në pushtet dhe jo për të diskutuar pafundësisht për tema të vjetra që nuk na çojnë asgjëkundi. Nga kjo pikëpamje jam shumë i zhgënjyer të shoh sot të konfirmuar parashikimin tim që kjo parti është kthyer përfundimisht në OJQ”, - u shpreh Manjani. Anëtari i asamblesë socialiste tha dje se PS duhet të përcaktonte mënyrën se si kërkon të provokojë zgjedhjet e parakohshme. “Për fatin e keq, as sot nuk u dha një opsion, as nuk ka ndërmend kush të japë një opsion se si do të vihet në pushtet, kërkohen zgjedhje të parakohshme, por askush nuk e di se si do të bëhen zgjedhjet e parakohshme. Kërkohet të rrëzohet qeveria, por askush nuk thotë se si do të bjerë qeveria. Kutitë u harruan, nuk e di për çfarë arsye. Kështu që, tani nuk merret vesh më ku është fillimi dhe ku është fundi i kësaj historie. Nga kjo pikëpamja them që edhe kjo mbledhje vërtetoi zhgënjimin tim”, - u shpreh ai.
Analiza e Ramës
Kryetari Edi Rama bëri një përmbledhje të gjatë të situatës në vend në të gjithë sektorët: shëndetësi, ekonomi, arsim, bujqësi. Rama akuzoi se “përgjegjës është Kryeministri i papërgjegjshëm, Sali Berisha, që shtoi pasojat e krizës duke shtuar borxhet dhe duke lënë vendin në errësirë pa marrë asnjë masë antikrizë”. “Viti 2010 do të jetë viti i përshfaqjes së plotë të krizës ekonomike në Shqipëri, të cilën ne e kemi paralajmëruar, por kambana jonë dhe e ndërkombëtarëve nuk u dëgjua nga qeveria... Viti 2010 do të jetë viti i pagesës së faturave të papërballueshme që po ia lë trashëgim kjo qeveri. Viti 2010 do të jetë një vit i krizës ekonomike, e projektuar me kohë me rritje ekonomike pa prodhim të qeverisë”. Rama bëri të ditur sesa është shtrirë kriza në vend, por edhe në ç’mënyrë u kanoset kjo krizë familjeve shqiptare për vitin 2010. Rritja e çmimit të energjisë, zhvleftësimi i lekut, ulja e dërgesave të emigrantëve, toka e papunuar dhe braktisja e fshatit, mosrritja e pensioneve etj., ishin disa nga problemet që Rama ka ngritur para anëtarëve të asamblesë së partisë së tij.