E Hënë, 2 Nëntor 2026

BE, investime miliardash në Serbi – Financime për hekurudha, energji dhe projekte zhvillimi

Bashkimi Evropian ka financuar me miliarda euro projekte të mëdha infrastrukturore në Serbi gjatë dy dekadave të fundit, duke ndihmuar zhvillimin social dhe ekonomik të vendit dhe duke u bërë donatori kryesor në rajon.

Ndër investimet më të rëndësishme janë ndërtimi i interkonektorit të gazit Serbi–Bullgari dhe modernizimi i linjës hekurudhore Beograd–Nish, projekte që konsiderohen thelbësore për energjinë dhe lidhjet rajonale. Sipas përfaqësueses së NALED, Ana Ilić, vetëm nga viti 2008 Serbia ka përfituar rreth 4.5 miliardë euro nga fondet e BE-së, ndërsa pjesëmarrja në programe rajonale dhe mbështetja nga bankat evropiane e rrit këtë shumë ndjeshëm.

Ajo theksoi se “kur të gjitha këto fonde mblidhen, Bashkimi Europian është donatori i parë në Serbi, shumë përpara çdo partneri tjetër ndër vite”. Nga ana tjetër, Mauro Di Veroli, drejtues i sektorit të bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Beograd, u shpreh se rreth 600 milionë euro nga fondet IPA janë investuar vetëm për modernizimin e hekurudhës Nish–Beograd. Ai tha se fondet e BE-së shkojnë kryesisht për rikonstruksionin e shkollave, spitaleve dhe institucioneve kulturore, duke pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve.

Delegacioni i BE-së thekson se përfitimet më të mëdha shihen në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili shpërblen vendet që ecin përpara me reformat. BE-ja nënvizon se progresi varet nga performanca, me një objektiv të vetëm: anëtarësimi sa më i shpejtë i Serbisë në Bashkimin Europian.

Gazetar: A. Mata

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›