E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE-ja nuk pranon disa pjesë të platformës serbe

Qeveria e Serbisë do të marrë parasysh vërejtjet e BE-së dhe SHBA-së në tekstin e platformës për Kosovën, me të cilën doli në opinion para disa ditësh, asisoj që do të ndryshohen disa pjesë të platformës që “vrasin syrin”, ndërkohë që ende nuk ka pajtueshmëri brenda vetë Serbisë se a të dilet me këtë dokument para deputetëve të parlamentit në Beograd, shkruan gazeta Blic.

Sipas kësaj gazete, në bisedat joformale të disa qeveritarëve serbë me përfaqësues të BE-së është arritur ujdia që nga platforma të hiqet fjalia “për asgjë nuk është arritur marrëveshja derisa të mos nuk arrihet marrëveshja për të gjitha”. Kjo fjali është marrë nga modeli i dy Gjermanive dhe ajo ka shkaktuar në së shumti reagime negative në Perëndim. Vërejtjet më të mëdha rreth kësaj ka pasur Catherine Ashton, ndërmjetësja e negociatave ndërmjet dy kryeministrave, shkruan Blici.

“Qëndrim i Ashton është se në zgjidhjen e problemit të Kosovës të shkohet ha pas hapi. Nëse kjo fjali do të mbetej në platformë, asnjë marrëveshje që do të arrihej në ndërkohë nuk do të mund të zbatohej deri në përfundimin e negociatave, gjë që do të mund të zgjaste dy-tre vjet. Nëse rreth diçkaje mund të arrihet lehtë marrëveshja, atëherë nuk ka arsye që të shtyhet zbatimi”, i tha gazetës beogradasi bashkëbiseduesi.

Jo zyrtarisht, si merr vesh kjo gazetë, në listën e pjesëve të platformës që do të hiqen, është edhe ideja e Tomisllav Nikoliqit, që garantues të sigurisë së Kosovës të jenë armata e Serbisë dhe ajo e Shqipërisë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›