BE-ja planifikon futjen e regjimit të vizave për vendet e Ballkanit
—-Nga Anisa Kurtaj, Frankfurt—-
Gjermani- Udhëtarët nga Ballkani duket se së shpejti do të përballen me vështirësi. Gjermania ka disa muaj që angazhohet për heqjen e regjimit pa viza, gjë që ka gjetur edhe mbështetjen e BE-së. Qindra e mijëra të rinj serbë dhe maqedonas së shpejti kërcënohen që përkohësisht të aplikojnë për vizë, nëse duan të udhëtojnë jashte vendit të tyre.
Numri i azilkërkuesve në Gjermani po merr shifa marramëndëse, gjë që e ka shtyrë Gjermaninë të kërkojë ndihmën dhe mbështejen e Brukselit në lidhje me këtë problem. Vendet e BE-së ndoshta së shpejti do të kërkojnë viza nga shtetasit e Ballkanit. Komisioni kompetent i Parlamentit Evropian votoi të hënën në Bruksel se udhëtimi pa viza në vendet e BE-së mund të pezullohet për një kohë të kufizuar për vende të tilla të Ballkanit si Serbia dhe Maqedonia, shkruan revista gjermane Spiegel.
Parlamenti Evropian miratoi me 33 vota pro, 7 kundër dhe 3 abstenim të tjera ndryshime për regulloren e vizave, nga ato që kishin propozuar vendet anëtare dhe Komisioni, mbi mekanizmin pezullues për vendet abuzuese të lëvizjes së lirë.
Ne vërejtëm me zhgënjim se në vende anëtare të BE-së mbizotëroi shpesh interesi kombëtar, mosrespektimi i marrëveshjeve dhe një nivel i caktuar populizmi. Çka u kthye madje në një kërcënim ndaj popujve të Ballkanit për rikthimin e vizave, si dhe në një shantazh ndaj institucionit tonë. Pas vendimit të sotëm e për një farë kohe Bashkimi Evropian nuk do ta ketë ende mundësinë të pezullojë përkohësisht regjimin e lëvizjes së lirë,- tha Tanja Fajon, eurodeputete sllovene.
Qytetet gjermane kanë kërkuar futjen e regjimit te vizave dhe përshpejtimin e proçedurave të azilit për shtetasit e vendeve të ballkanit.
Vetëm në janar të këtij viti 7,000 persona aplikuan për azil në Gjermani. Numri i aplikimeve ështe rreth 50 për qind më i lartë se në muajin dhjetor dhe rreth 60 për qind më i lartë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ministri i Brendshëm gjerman Hans-Peter Friedrich po përpiqet për një ndryshim të lirisë së vizave në rangun e BE-së.
Sipas vendimit të Komisionit, vendet e BE-së mund të anulojnë lirnë e vizave në rast se ka një “rritje të konsiderueshme dhe të papritur” të numrit të emigrantëve të paligjshëm ose të aplikimeve për azil me argumente të pabazuara. Por një gje e tillë duhet të përdoret vetëm si një “mjet i fundit”.
Seanca plenare e Parlamentit Evropian dhe shtetet anëtare duhet tanimë të votojnë në lidhje me këtë cështje. Shumë azilkërkues nga Maqedonia dhe Serbia janë romë. Ata konsiderohen si azilkërkues të ardhur ne Gjermani për shkaqe ekonomike dhe jo politike. Për këtë arsye autoritetet gjermane refuzojnë shumicën e aplikimeve. Arsye për rritjen e numrit të azilkërkuesve në Gjermani është aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese Federale Gjermane i verës së vitit 2012, pas të cilit përfitimet për azilkërkuesit u rriten. Të dy vendet e Ballkanit janë kandidate për anëtarësim në BE.
Anulimi i lirisë së vizave u kundërshtua vetëm nga ambjentalistët në Parlamentin Evropian. Ato kritikuan që ky vendim do të diskretitojë të drejtën për azil.
Spiegel raporton se rinisja e negociatave trepalëshe me Këshillin dhe Komisionin mbi ndryshimet e reja të propozuara në PE, do ta shtynte të paktën edhe për një vit tjetër miratimin e mundshëm të mekanizmit pezullues të lirisë së udhëtimit.