“BE kërkon heqjen e imunitetit për statusin kandidat”

Deputeti i LSI dhe njëherazi ministër i Shëndetësisë, Vangjel Tavo
Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, njëherazi ministër i Shëndetësisë, Vangjel Tavo u shpreh dje gjatë një deklarate për mediat se heqja e imunitetit është një nga kërkesat e rëndësishme të BE, për marrjen e statusit kandidat.
Tavo tha se mazhoranca është e angazhuar në luftën antikorrupsion dhe imuniteti bëhet mburojë për aferat korruptive dhe antiligjore.
“Shpresoj dhe besoj që të gjitha forcat politike të gjejnë vullnetin e duhur për të arritur përfundimisht të votohet në parlamentin shqiptar heqja e imunitetit. Kjo është një nga pikat më të rëndësishme në kuadër të marrjes së statusit të vendit kandidat. Për luftën kundër korrupsionit ka një angazhim serioz të mazhorancës, por është fakt se ndërkombëtarët e kanë theksuar se imuniteti është pika e fundit që palët duhet të japin konsensus dhe të shembin murin e fundit. Besoj se edhe Edi Rama do jetë i gatshëm të votojë në Kuvend, pasi më kryesorja është marrja e statusit të kandidatit”, u shpreh ai.
Deputeti i LSI theksoi se forca e tij politike ka qenë promotore e të gjitha proceseve që përshpejtojnë rrugën e integrimit të vendit në BE.
“Ne si LSI kemi bërë koalicionin politik me platformën e integrimit. Ne e kemi treguar disa herë me vepra se LSI gjithmonë ka vendosur në plan të parë interesat e vendit. për hir të integrimit, kemi thënë se do të pranojmë dhe votojmë reformën zgjedhore pavarësisht se kjo reformë nuk e zgjidh problemin e zgjedhjeve, nuk garanton votën. Dhe ne kemi thënë, më mirë të humbasim diçka nga interesat tona politike, por të mos humbasim perspektivën evropiane të vendit”, tha Tavo.
Gjithashtu, Tavo foli dhe për zgjedhjen e strukturave të reja në LSI, si pikënisje për përgatitjet e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
“Ne po punojmë që të arrijmë po atë numër mandatesh që do na jepte një sistem më i drejtë i garantimit të votës. Mesazhet që na vijnë ngë e gjithë Shqipëria janë shumë optimiste. Lidershipi i LSI është në kontakt të vazhdueshëm me bazën”, tha ai.