Rama i shpall luftë të hapur statusit
Me miratimin e një projekti të përbashkët për heqjen e imunitetit, Edi Ramës i kanë mbaruar justifikimet për bllokimin e votimit, megjithatë kjo s’e ka penguar mbrëmë të deklarojë se do ta pengojë projektin, qoftë edhe pa alibi. Në intervistën televizive, ai deklaron se është gati ta votojë pa parakushte ligjin, gjatë muajit shtator, veç që ai të mos miratohet në gusht. Teka prej jopolitikani e kreut të opozitës të çon tek sjellja trevjeçare e tij, tek përkushtimi për të bllokuar marrjen e statusit të kandidatit për në BE
Edi Rama nuk ka e fshehur qëllimin e vërtetë të preteksteve për ndryshimet kushtetuese në këmbim të dhënies së votës për imunitetin. Ky qëllim i shprehur prej atij vetë mbrëmë në një intervistë televizive, nuk ishte asgjë më shumë se bllokimi i statusit të vendit kandidat. E thënë ndryshe, Edi Rama konfirmoi dje shpalljen e luftës së hapur ndaj statusit.
“Më 6 gusht ne nuk do të votojmë imunitetin”, ripërsëriti mbrëmë Edi Rama, në intervistën dhënë Alfred Pezës, në emisionin e tij “Debat”, në “Vizion Plus”.
Ky pohim i konsumuar prej tij, nuk është se përbënte ndonjë çudi për ndokënd.
Por çudia qëndronte gjetkë...
Mbrëmë Edi Rama, nuk ishte fort në pozicion komod, kur ndërsa nga njëra anë duhet të pranonte miratimin e një projekti të përbashkët për heqjen e imunitetit, nga ana tjetër i kishin mbaruar justifikimet për bllokimin e këtij votimi. Megjithatë kjo nuk e pengoi të deklaronte se do ta pengojë projektin, qoftë edhe pa alibi.
Këtë e bënte vetë të ditur më vonë, në të njëjtën bisedë televizive, kur deklaronte se se është gati ta votojë pa parakushte ligjin, gjatë muajit shtator, veç që ai të mos miratohet në gusht.
“Për heqjen e imunitetit do të votojmë sepse është varianti ynë që është pranuar. Urojmë që pala tjetër të pranojë edhe propozimet e tjera”, ishte përgjigja e Edi Ramës ndaj pyetjes, se si do të ishte fati i imunitetit në shtator “pavarësisht nëse bëhen ose jo ndryshimet Kushtetuese”.
Pikërisht këtë do Edi Rama, zvarritjen e imunitetit deri në shtator. Sepse edhe ai vetë e di, që po e gjeti shtatori pa miratuar heqjen apo kufizimin e imunitetit, atëherë, falë procedurave parlamentare, nëse nuk realizohet votimi në 6 gusht, procedura duhet filluar nga e para, që minimalisht e shtyn çështjen jo më afër se muaji tetor. Dhe më e keqja qëndron ën faktin që në se në datën 6 gusht votohet amendamenti por nuk merr 84 vota, atëherë kjo çështje mund të shtrohet për votim vetëm pas një viti.
Këtë do Edi Rama dhe nuk e fshehu as vetë mbrëmë me konfirmimin e luftës që i ka shpallur statusit të vendit kandidat.
Me këtë sjellje të tij, Edi Rama thjesht dhe vetëm, është në rrugine tij “të vazhdimësisë”. Teket e tij prej jopolitikani, nga pozitat e kreut të opozitës, të çojnë te sjellja trevjeçare e tij, sjellje e cila i është përkushtuar bllokimit të marrjes së statusit të kandidatit për në BE... me paketa kushtesh prej 5, 7 apo 10 pikëshe...