E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE kritikon Rumanine e Bullgarine

Bashkimi Evropian ka kritikuar Rumaninë dhe Bullgarinë se kanë dështuar të reformojnë gjykatat e tyre, të reduktojnë korrupsionin dhe të luftojnë krimin e organizuar. Holanda ka reaguar ndaj raporteve të reja, duke thënë se do të vazhdojë të bllokojë përpjekjet e Bullgarisë dhe të Rumanisë për t’iu bashkuar zonës “Shengen” së paku deri në qershor.

Raportet e fundit të Komisionit Evropian thonë se dy vendet kanë dështuar të përmbushin reformat, edhe pesë vjet pas anëtarësimit në BE. Ministri holandez për çështjet europiane, Ben Knapen tha se raportet kanë treguar progres për të dyja vendet veçanërisht për Rumaninë, por ai shtoi se qeveritë përkatëse nuk kanë bërë mjaftueshëm për vendin.

“Më shumë përpjekje duhen bërë deri në korrik, kur komisioni do të bëjë një vlerësim të plotë për përpjekjet e Bullgarisë dhe Rumanisë. Holanda kërkon dy raporte radhazi të jenë pozitive që tregojnë progresin e qëndrueshëm dhe të pakthyeshëm për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.

Në vitin 2007, kur Bullgaria dhe Rumania janë bërë anëtare të bllokut evropian, Holanda ka kundërshtuar futjen e tyre në zonën e lirë të udhëtimit, duke thënë se një gjë e tillë do të përhapte edhe më shumë krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Banorët e vendeve të “Shengenit” nuk kanë nevojë për viza për të hyrë në një tjetër vend të po kësaj zone.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›