Pr.buxheti për shëndetësinë/ Vokshi-Manastirliut: Kemi vjedhje të parave të shëndetit të qytetarëve! Ministrja: Buxhet historik

Projektbuxheti për shëndetësinë për 2023 është shoqëruar me debate në mbledhjen e Komisionit për Punën, çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, mes deputetëve të opozitës dhe Ministres Ogerta Manastirliu. Deputetja demokrate Albana Vokshi ka adresuar akuza ndaj Ministres Manastirliu duke thënë se vidhen paratë e shëndetit të qytetarëve. Vokshi përmendi disa prej shkeljeve të konstatuar nga raporti i KLSH lidhur me barnat, fondeve të COVID dhe analizave.
“A i lexoni raportet e KLSH? Jo denoncimet e opozitës se thoni bëni politikë. A e keni lexuar raportin e korrikut të 2022 për të cilin jeni kujdesur të mos shpërndahet shumë në media. Po flasim për buxhetin e barnave, ku janë gjetur shkelje. Pse nuk është reaguar? Nuk është respektuar tavani i rimbursimit. Është bërë keqmenaxhimi i fondeve të COVID. Pra, si është e mundur që në asnjë rast nuk keni marrë parasysh raportin e KLSH? Si është e mundur që vijon një koncension që po thith fondin buxhetor të shëndetësisë ndërohë që ky koncension është në SPAK dhe ende nuk ka marrë vendim në lidhje me të? Kryhen analiza të pakryera. Dua të di sa analiza të pakryera që janë paguar. Në buxhet shohim keqpërdorim të fondeve të shëndetësisë sepse u shkojnë koncensioneve, miqve, sponsorave të kryeministrit dhe qeverisë tuaj. Dhe jo atje ku duhet. Sa kërkesa kam dërguar për barnat. Sa është sasia e 4 barnave që përdoren për fëmijët me leucemi dhe tumore? Pse nuk bëni transparencë? Sepse shkojnë të koncensionet. Jeni në shkelje Kushtetuese. Një pyetje tjetër, pse keni hequr In-Vitron. E keni zhdukur si program. Pse nuk sigurohen ilaçet për pacientët me sklerozë? Siguroni vetëm 2 kura dhe jo 2 të tjerat. Pse mësuesit bëjnë check-up para se të paraqiten? Pse nuk ja siguroni grave për të bërë analizat, testet e duhura, për të kapur sëmundjet në kohë. Pse keni ulur fondet për gratë me kancerin e gjirit? Kemi një vjedhje të parave të shëndetit të qytetarëve. Vjedhja e taksave të shqiptarëve është krim, por vjedhja e parave të shëndetësisë është 2 herë krim”, tha Vokshi.
Nga ana e saj, Ministrja Manastirliu u shpreh se mosvotimi i projektbuxhetit do të thotë që nuk duan që qytetarët shqiptarë të marrin shërbimet shëndetësore. Manastirliu theksoi se po avancohet me investimet infrasturkutore dhe teknologjisë bio mjekësore në spitale.
“Të dëgjosh që të mos duash të votosh këtë buxhet do të thotë se s’keni dobi që qyetetarët shqiptarë të marrin shërbimet. Buxheti për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale, është buxheti historik, më i larti i të gjithë viteve të fundit. Çdo vit ne jemi duke rritur pagat, rrisim me 6% pagat për gjithë personelin mjekësor dhe infermieror. Ka mundësi që brenda atyre dispozitave që siguron ligji për kujdesin spitalor të vlerësojmë mekanizëm për mbështetjen e mjekëve sipas performancës dhe mjekët që punojnë jashtë vendbanimit. Kemi spitale ku kemi çuar mjekë me bonus për të përmbyllur nevojat për marrjen e shërbimeve nga qytetarët. Tërhiqni mbrapsht atë që thatë për hajdutërinë”, tha Manastiliu.