Reforma Territoriale/ Alibeaj: Po vidhni në tavolinë zgjedhjet e 2023! Balla: Synimi ynë, mirëqeverisja

Raportet e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Territoriale po diskutohen në seancën plenare të kësaj të hënë. Kreu i Grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, akuzoi opozitën se me vendimin e saj për të mbajtur të pandryshuar ndarjen territoriale, po “shtron terrenin për vjedhjen në tavolinë të zgjedhjeve të 2023. Sipas Alibeajt, qeveria ka krijuar bashki pa identitet dhe pa historik.
“Bashki pa historik, që nuk kanë identitet. I keni shndërruar në fotokopje të njëra-tjetrës. Bashki pa tradita, bashki që po shpopullohen dhe kjo është arsyeja pse është e nevojshëm të rishihet edhe njëherë reforma territoriale. Shqiptarët jo vetëm që ikin jashtë shtetit, por edhe nga periferia po vijën në qendër. Bashki pa demokraci lokale. Pushteti vendor, nëse ka një vlerë, është pikërisht komoditeti që i jep qytetarëve që të kontrollojë çdo ditë kryebashkiakun. Niveli i demokracisë në një vend shihet pikërisht nga pushteti vendor. Korrigjim kemi kërkuar të defekteve të identifikuar gjatë këtyre 7 viteve. E fundit, mos ja fshehim njerëzve, e kuptoj fare mirë se përse sot s’gjeni dot alibi, ka vetëm një arsye, se përse ju s’pranoni ridimensionim të territoriales, ju atë e bëtë në 2014 për të fituar zgjedhjet në tavolinë. Me këtë gjë të sotme, nuk po bëni gjë tjetër veçse po vidhni në tavolinë zgjedhjet e 2023”, tha Alibeaj.
Nga ana tjetër, Kreu i grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, iu përgjigj duke thënë se numri aktual i bashkive është i arsyetueshëm për sipërfaqen territoriale të Shqipërisë, duke shtuar se disa nga propozimet e opozitës, nuk kanë kuptim.
“Në demokraci nuk është e thënë që të biesh dakord për çdo gjë, por është fillim i mbarë i një çështje që duhet të vazhdojë. Nëse lexojmë raportin e përgatitur nga maxhoranca dhe opozita, ka çështje që duhen parë dhe duhen marrë në vëmendje. Kemi bërë 42 faqe raport dhe ka 2 blloqe gjetjesh. Numri i bashkive sot, i arsyetueshëm për sipërfaqen që ka Shqipëria. Teksa kemi bërë një vlerësim si ka ecur deri tani reforma, kemi arritur në disa konkluzione, nëse kemi nevojë tani për një ndarje të re territoriale, një rritje të numrit të bashkive? Disa propozime nuk mund të merren në konsideratë. Të copëtosh Vlorën në 3 pjesë, s’më duket propozim që bën sens. Synuam të bëjmë një reformë për mirëqeverisje. Një nga indikatorët e parë, është rritja e të ardhurave dhe të ardhurat janë rritur. Janë përmirësuar shërbimet publike. Në vlerësimin tonë, reforma të tilla kanë kohë për t’u vëzhguar si kanë ecur. Kur e ndërmorëm reformën në 2014, ekspertët vlerësuan se një reformë duhet vlerësuar pas të paktën 3 mandatesh. Ndaj në këtë këndvështrim, në zgjedhjet e 14 majit në Shqipëri do garohet në 61 bashki, në ato të 2025 do garohet në 12 qarqe dhe ne do fitojmë prap”, tha Balla.
Maxhoranca dhe opozita nuk kanë rënë dakord sa i takon Reformës së re territoriale, duke paraqitur në Kuvend dy raporte të ndryshme. Maxhoranca kërkon që mbetet siç është, 61 bashki dhe 12 qarqe, teksa PD propozon 94 bashki.
/rtsh.al/