BE, marrëveshje për një sistem të ri rregullator financiar
Ministrat e Financave të Bashkimit Europian kanë rënë në njëmendje në lidhje me planet për të krijuar një sistem të ri europian të rregullave financiare. Marrëveshja i çel rrugën krijimit dhe vënies në funksionim të disa institucioneve mbikëqyrëse, përgjegjësia e të cilëve do të jetë mbikëqyrja e sistemit financiar në të gjitha vendet e Bashkimit Europian. Këto do të kenë si qëllim parandalimin e rënies sërish në kriza të rënda financiare të vendeve të BE-së dhe krijimit të situatave që kërkojnë paketa të stërmëdha ndihmash financiare për institucionet në prag të falimentimit, siç ndodhi në krizën e fundit ekonomike. Sipas propozimeve të bëra në takimin e ministrave të Financës së Bashkimit Europian, autoritetet e reja mbikëqyrëse do të jenë tre dhe do të krijohen për të pasur nën vëzhgim dhe kontroll bankat, institucionet e sigurimeve dhe firmat e investimeve. Një organizëm i veçantë, i njohur si bordi europian i riskut, planifikohet që të mbikëqyrë tërësinë e stabilitetit të sistemit financiar të vendeve të Bashkimit Europian. Ai do të drejtohet nga bankierët qendrorë europianë e rregullatorët kombëtarë dhe ka shumë shanse që ta ketë qendrën në Londër. Propozimet janë hartuar nga Komisioni Europian, i cili nisi punën menjëherë pas krizës së rëndë financiare që preku tregjet e gjithë botës, duke e bërë atë më të rëndën në planet që pas krizës së viteve ‘30 të shekullit të kaluar. Kryesisht puna nisi pas kolapsit të pësuar nga "Lehman Brothers" mbi një vit më parë. Komisioni është shprehur se shpreson që të shohë një sistem të ri paneuropian të krijuar para mbarimit të këtij viti, edhe pse sipas planeve për vënien në punë të gjithë këtij sistemi të ri mbikëqyrës do të duhet edhe aprovimi i Parlamentit Europian. Marrëveshja duket se është arritur pas një kompromisi mes Britanisë së Madhe dhe vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Europian.