Këshillat e luciferit
“I gjithë faji është i Judës” është fraza e parë e këtij shkrimi. Kemi pasur gjithmonë idenë se këshilla është një pretekst i rëndësishëm që çon në dobi; preteksti i dobisë është dobi e mirëbërësit. Mirëpo nuk është gjithmonë kështu. Edhe këshillat të çojnë në humnerë personale dhe profesionale sidomos në politikën shqiptare, pardon, opozitare. Aty, dikush po e izolon opozitën për ta mbajtur më mirë nën kontroll. Dikush po e këshillon Edi Ramën, që të bëjë divorc me arsye, të abdikojë nga parlamenti dhe t’i refuzojë zgjedhjet, sepse kështu, duke pasur një ngushtësi alternativash, mund ta kontrollojë më mirë. Pra opozita dhe Edi Rama janë dy gjëra të ndryshme, por komplementare, si dy gjysma molle të papjekura.
Gjithsecili prej nesh dëshiron t’i shohë njerëzit e “mëdhenj”, por më mirë është të shohë veprat e tyre, sepse idetë e tyre s’kuptohen nga fytyrat, por dallohen nga veprat. Nga kryebashkiaku apo kryesocialisti akoma nuk kemi pasur rastin të dallojmë ndonjë vepër të rëndësishme të tij. Edhe pastrimi i ish-parkut Rinia në qendër të Tiranës nga kioskat (aksion i nisur në fakt nga kryebashkiaku Albert Brojka), me sa kuptojmë, ishte për të bërë një kioskë më të stërmadhe. Një kioskë biznesi me një racion toke shtesë prej 1.300 metrash katrore. Kuptohet besoj? Edhe punoj, edhe vjedh por nga pak. Ku është rëndësia sociale në këtë mega-kioskë kafene? Një Tiranë që nuk ka model evropian, por është kthyer në një model afgan, një simotër e bashkisë së Kabulit a Kandaharit - zgjidhni e merrni.
Ndërsa Edi Rama nuk këshillohet për punët e bashkisë nga një bandë organike (që mund të jetë punisto-mafioze), por është e kapur nga bishti, e zënë ngushtë, në lak nga disa individë të shtrembëruar në mendime kimike e ideologjike, që duan bastisje ekonomike, që janë kurdoherë simetrike me pushtetin. Si dje, si sot. Kësisoj na ngelet ordinere e megalomanë t’i përmendim. Por i përmendim kur këshillojnë që Edi Rama, që mjerisht kryeson opozitën dhe PS-në të bëjë një lojë agresive, vetë-izoluese, të qëndrojë duke u mbrojtur dhe herë sulmuar sikur të ishte në një ring boksi. Disa nga këta individë kanë në politikë më shumë se demokracia shqiptare, pra më shumë se njëzet vjet. Sipas një thënieje të dukës La Rochefoucauld, “pleqtë kanë qejf të japin këshilla për t’u inkurajuar pasi nuk mund të japim më këshilla të këqij”. Kush më mirë se pleqtë e politikës së opozitës sesi bëhet sufleri, kush më mirë se Ruçi, Gjinushi, Pëllumbi apo Dokle, që kanë një back-ground komunist, që kanë trashëguar një komunizëm mendor të thekshëm mund të luajnë një rol këshillues pranë midesë. PS-ja realisht nuk është bonifikuar kurrë nga e kaluara që të zinte frymën nga myzeqeja e krimeve ndaj të drejtave të njeriut. Sot
është kthyer një festival komunistësh mendorë e rendorë. Këta janë këshilltarët e një politike bllokuese e frenuese, me metoda të dhunshme deri në shfarosjen e kundërshtarit.
Ndërkaq dihet se vetë këshillat e tyre janë një lloj forme nostalgjie. Dhe t’i shpërndash ato janë një mënyrë për të ri-peshkuar në kujtimet e së kaluarës, duke i ripastruar, me një dorë varaku e bojë pink-kuqe në pikat më të këqija, në fasadë, për ta ricikluar më shumë seç vlen.
Këtu nuk ka vetëm këshilla të gabuara por edhe riciklime mendimesh e njerëzish nga komunizmi mendor. Është e vërtetë që krimi atëror nuk kalon gjenetikisht tek fëmijët, por të shohësh njerëz gjenetikisht të modifikuar nga komunizmi që të dalin nëpër foltoret politike për të thënë se çfarë është e “vërtetë” dhe çfarë është “gënjeshtër” ose çfarë është e “drejtë” e çfarë e “gabuar” është një nga padrejtësitë më të mëdha që i bëhen memories shqiptare. Një memorie që është dhunuar disa herë nga ish-nomenklatura e cila vazhdon sot të relativizojë krimet e veta nëpërmjet një spektri mediesh të lidhura shpirtërisht e materialisht në mënyrë dikotomike.