E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një qen leh për diçka, të tjerët lehin pas tij

Duke dëgjuar kryeministrin e vendit, teksa denonconte me fakte aferat korruptive me pronat e qytetarëve dhe ato publike të disa ndërtuesve në kryeqytet apo të “aleancës punisto-mafioze, që drejtohet nga kryetari i Partisë Socialiste, Edvin Rama”, siç do t’i cilësonte zoti Sali Berisha; si dhe duke sjell nëpër mend gjithë protestat apo makinacionet e tjera të bojkotit parlamentar të opozitës, këto 3-4 muajt e fundit, m’u kujtua një shprehje e urtë e popullit kinez, të cilën e kam vendosur si titull të shkrimit: “Një qen leh për diçka, të tjerët lehin pas tij”. Sipas kryeministrit, janë rreth 500 mijë m2 sipërfaqe ndërtimi, duke filluar nga zemra e Tiranës dhe në pjesë të tjera brenda unazës, që kapin një vlerë prej më shumë se një miliardë dollarë, të përfituara me firmën e Edvin Ramës si kryetar bashkie, në kundërshtim flagrant me ligjin dhe në dhunim të hapur të pronave private dhe publike. Por, bazuar në faktet dhe dokumentat e servirura nga zoti Berisha, ajo që e shndërron këtë veprim abuziv në një veprim tipik mafioz lidhet me faktin se paret e këtij biznesi antiligjor nuk janë investuar të gjitha sipas formulës së Marksit për të riprodhuar kapitale ekonomike e financiare, por një pjesë e mirë e tyre janë investuar sipas formulës së Mafies për të prodhuar pushtet nëpërmjet blerjes së votove. Gjatë fushatës së zgjedhjeve të përgjithëshme të 28 qershorit kemi dëgjuar plotë fjalë lidhur me hedhjen e kaq apo aq milionë dollarëve nga kandidatët socialistë për deputetë  në Skrapar, Fier, Tiranë, Shkodër, Elbasan, etj., por nuk i kemi besuar. Na janë dukur thjeshtë artikulime fushate. Por faktet e publikura nga kryeministri Berisha na bindin plotësisht se gjithëçka e thënë në këtë drejtim është plotësisht e vërtetë. Në një shkrim të mëparshëm unë kam denoncuar një biznesmenë të vogël me origjinë nga Tepelena, që në zgjedhjet e 28 qershorit u rreshtua përkrah Partisë Socialiste të Edvin Ramës, duke u nisur me një thes me lekë në fshatrat e këtij rrethi për të blerë vota, por rastet që përmend kryeministri u përkasin bosave që flasin me miliona euro dhe jo miliona lekë. Një deputet i Partisë Demokratike për Qarkun e Kukësit duke komentuar dhe mbështetur deklartat e kryemnistrit Berisha në një dalje publike gjatë ditës së djeshme tha se, vetëm në Kukës janë ofruar 1 milionë euro për të blerë zgjedhjet, kurse në shkallë republike në këtë formë janë përdorur nga Partia Socialiste mbi 40 milionë euro. Nga Edvin Rama ishin marrë të gjithë masat që  zgjedhjet të fitoheshin me çdo kusht, duke përdorur miliona euro për të blerë vota. Dhe kjo ishte arsyeja që në ditën e zhvillimit të tyre dhe disa ditë më pas ai bëri vlerësime pozitive për to. Rama filloi të dredhoi kur ustallarët dhe kryetarët e vërtetë të partisë apo bashkisë filluan t’i kërkojnë atij llogari për paret e shpenzuara në fushtën elektorale, teksa panë qartësisht se rezultati i zgjedhjeve po kristalizohej në favor të Partisë Demokratike në veçanti dhe Aleancës së Ndryshimit në përgjithësi. Ankthi dhe irritimi i tij filluan të shtohen në mënyrë kulmore kur Aleanca e Ndryshimit, si parti fituese e zgjedhjeve të 28 qershorit publikoi aleancën qeverisëse me LSI-në, e cila doli forca e tretë në këto zgjedhje. Deri në këtë moment Edvin Rama shpresonte tek një bashkëqeverisje me demokratët, dhe në këtë mënyrë kishte se ç’përgjigje qetësuese mund t’u jepte atyre që kishin shpenzuar miliona euro për fitoren e zgjedhjeve nga Partia Socialiste. Me tej qëndrimi i tij në opozitë u bë i padiskutueshëm, megjithëse për një njeri normal kjo gjë duhej të kishte qënë e qartë qysh në fillim, pasi opozita e një vendi demokratik nuk mund të përfaqësohet nga katër deputetë të LSI-së (!?) Në këto kushte Ramës i duhej një alibi për të kundërshtuar procesin zgjedhor, ndaj sajoi në mënyrë djallëzore çështjen e rinumërimit të kutive të votimit, në një kohë kur procesi dhe rezultati ishin çerfitikuar edhe nga Kolegji Zgjedhor. Disa mitingje dhe ultimatume janë organizuar dhe formuluar mbi bazën e këtij preteksti donkishotesk të Edvin Ramës, ndërkohë që dokumentat zgjedhor janë pranuar e nënshkruar nga 20 mijë komisionerët e Partisë Socliaste në të gjithë Shqipërinë. Po kështu është hera e parë në 19 vjetë pluralizëm që institucionet ndërkombëtare shprehen me vlerësimet më të larta për zgjedhjet e 28 qershorit. Nga ana tjetër s’kanë të rreshtuara sugjerimet dhe rekomandimet e faktorit ndërkombëtar që i kërkojnë Ramës të futi në Parlament grupin e deputetëve të Partisë Socialiste. Por kryetari socialist po i radikalizon qëndrimet e tij në këtë drejtim, duke i shpërfillur e përçmuar hapur orjentimet edhe vlerësimet e ndërkombëtarëve. Madje para disa ditësh ai arriti të organizojë një protestë para selisë së OSBE-së në Athinë. Ndërsa në një mbledhje të zhvilluar dje me grupin e deputetëve të Partisë Socialiste dhe drejtuesit lokalë të kësaj force politike, Rama pohoi se do të vazhdojë protestat dhe do të kërkojë rrëzimin e qeverisë Berisha, në një kohë kur Brukseli po e nxit dhe inkurajon mazhorancën aktuale për reformat e ndërmarra lidhur me liberalizimin e vizave në gjashtëmujorin e parë të vitit të vjen dhe dhënien e statusit të vendit kandidat për në BE. Në këtë mënyrë Rama po kalon nga një absurditet në tjetrin, nga një marrëzi në tjetrën, duke tërhequr pas vetes me dhjetëra socialistë të ndershëm, që nuk e dinë se për ku janë nisur dhe se ku do të përfundojnë. Por edhe lideri socialist nuk është fort koshinet për veprimet që kryen. Dhe kjo vjen sa për arsye mendore po aq dhe për arsye “madhore”. Këto ditët e fundit po bëhen të qarta të gjitha. Edhe më parë janë publikuar historitë e sjelljeve të tij skizofrenike me familjarë dhe të afërm të tij, por tani së fundi ato po publikohen “live” me dokumenta orgjinale. E njëjta gjë po bëhet edhe me dosjet e korrupsionit të lejeve të ndërtimit për klientë të bashkisë së Tiranës dhe Partisë Socialiste njëkohësisht, duke zaptuar troje publike dhe private në qëndër të kryeqytet dhe zonat më të mira të tij, të cilët e shtyjnë atë drejt veprimeve aventureske për pushtet ilegjitim, që është mburoja e tyre përballë ndëshkimit që i pret. Nëpërmjet këtyre fakteve, qytetarët shqiptarë duhet të kuptojnë se cilat janë arsyet e vërteta të protestave të Edvin Ramës, dhe që Berisha i përmblodhi në shprehjen: “Ai nuk e ka hallin tek kutitë por tek kasafortat”. Në vazhdim të këtij arsyetimi kryeministri shtoi: “Këta punistë dhe mafiozë kërkojnë t’i imponohen pushtetit legjitim të dalë nga vota juaj, kërkojnë shqyrtim politik, në komision parlamentar të vendimeve të Gjykatës, pasi ata nuk arritën me mjetet e tyre të përcaktonin rezultatin si në kohërat e shkuara. Hapja e kutive dhe rinumërimi i votave është ultimatumi i këtyre punistëve-mafiozë, që kërkojnë me çdo kusht të nxijnë, njërën prej arritjeve më të mëdha në rrugën e demokracisë, zgjedhjet e 28 qershorit, kërkon të bllokojë me një donkishotizëm aventuresk rrugën tuaj drejt Europës, heqjen e vizave dhe procesin e integrimit”. Po atëherë ç’duan socialistët e thjeshtë pas Edvin Ramës? Duke e ndjekur pas atë në marrëzinë e tij, askush prej tyre nuk është i fituar. Përkundrazi do të jenë të humbur, të stresuar dhe të nënshtruar tërë kohën. Kjo kategori shoqërore fiton vetëm nga zhvillimi, integrimi dhe ecja përpara e të gjithë Shqipërisë, siç ka ndodhur në këto 4-5 vitet e fundit kur vendi është qeverisur nga demokratët. Ato qindarka që u ofrohen në prag të çdo mitingu janë vargonj që i mbajnë të lidhur pas interesave perverse të një klani mafioz, i cili synon të majmet gjithnjë e më tepër jo vetëm në kurriz të socialistëve por të të gjithë shqiptarëve. Unë jam i bindur se thellë në ndërgjegje shumica dërrmuese e socialistëve janë kundër Edvin Ramës dhe klanit të tij, sepse ata duan qetësi, mirëqënie dhe prosperitet. Ata e kanë kuptuar se po përdoren si mish për top, por nuk kanë se kush t’i organizojë e drejtojë në një rrugë tjetër nga krerët e politikës socialiste. Një grup i vogël deputetësh, që dolën kundër qëndrimive radikale të Ramës, tashmë s’ndjehen më. Dikush thotë që janë trembur e kërcënuar, dikush thotë se janë joshur e paguar, por asgjë s’është e konfirmuar plotësisht me fakte si ato që u servirën nga kryeministri për abuzimin me trojet dhe lejet e ndërtimit në kryeqytet. U bënë disa ditë që ata heshtin. Dy figurat kryesore të këtij grupimi u panë dje të rreshtuar përkrah Ramës, ndaj nuk ka më asnjë shpresë se ata mund të bëjnë diçka në favor të vegjëlisë socialiste. Megjithatë ky s’është një udhëkryq fatal nëse ata nuk vazhdojnë të mendojnë ende se, “partia është mbi gjithëçka”. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›