Romani “Panteoni i zi” i Fahri Balliut dhe përkthimi i tij në gjuhën rumune
Në një shkrim autorial, përkthyesi i njohur i letërsisë shqipe, i cili është edhe përkthyesi i veprave të Kadaresë në rumanisht, flet për njohjen me letërsinë dhe publicistikën e Balliut si dhe për sfidën pas marrjes së vendimit për të sjellë në rumanisht romanin që flet për tjetërsimin e njeriut në Bllokun enverist
Kur mbarova studimet e larta në Tiranë, as s’e besoja se tërë jeten time do të merresha me përkthime nga letërsia shqipe. Isha nje djalosh bjond, me sy te kaltër, i cili shkruante vjersha me rimë dhe ëndërronte te kthehej ne Shqiperi si diplomat. Por fati im qe “pak” i ndryshëm. Ne vend qe te përfaqesoja vendin tim ne Tirane, arrita të përfaqësoja letërsine shqipe në Rumani, mision ky shumë herë më i vështirë sesa ai i diplomatit. Por nga ane tjeter pata fat: në Rumani s’kishte përkthyes të gjuhes shqipe. Ata qe deklaroheshin (dhe deklarohen edhe sot) si minoritarë shqiptarë, s’e dinin gjuhën shqipe dhe as nuk u përpoqën ta mësonin! Ashtu qe ne vitet ‘80 mbeta i vetmi rumun që merresha me letersinë shqipe. Libri i pare që përktheva në rumanisht qe romani “Kronike në gur”, i Ismail Kadaresë, më 1983. Pastaj vazhdova me “Kështjellën”, “Nëntorin e një kryeqyteti”, “Dosja H” e kështu me radhë, gjithsej 16 vëllime. Ismailin e kam patur profesor në vitin e tretë dhe për të kam ruajtur gjithmonë një respekt të jashtëzakonshëm. Dhe mund te them se pata fat me të, sepse ne vitin 2002 mora Çmimin e Lidhjes se Shkrimtarëve të Rumanisë për përkthim, ashtu siç e mora edhe “Pendën e argjendtë”, në dhjetor 2006, për të njëjtën gjë. Ne Rumani botojme një revistë, “Miku i shqiptarit”, të financuar nga qeveria rumune, ku historia dhe letersia shqiptare zënë vendin kryesor. Mund te flas, pra, në dijeni të plotë mbi letërsine e vendit tuaj.
Mbi krijimtarine publicistike te z Fahri Balliu kisha dëgjuar që në fund të viteve ‘90. E di se eshte nje mbrojtes i ideve liberale ne ekonomi dhe politike. E kam njohur, virtualisht, si gazetar duke lexuar shtypin shqiptar në internet. Biles ka mundësi të ishim takuar prej kohësh, ne Tiranë, në oborrin e fakultetit te filologjise, kush e di? Por si shkrimtar e kam njohur vonë, respektivisht kete vit, kur më ra ne dorë romani i tij “Panteoni i zi”. Librin e kam lexuar shumë shpejt dhe më pëlqeu. Kam lexuar shume libra për epokën e Enverit, por asnjëri prej tyre nuk futet kaq thellë në brendinë e regjimit, në “Bllokun” e famshëm. Në fillim mbeta i zhgenyer nga heroina e romanit, Kalina, por më vone e kuptova krejtësisht natyren e saj. Kuptova se, nën ndikimin e rrethit shoqëror dhe politik, ajo çnjerëzohet, merr trajtën e atyre që e rrethojne. Ne fakt, jeta e Kalinës është një dramë: drama e atyre që për shkak të një jete komode, në majën e piramidës, sakrifikojne të afërmit. I braktisin, i harrojnë. Ky është, për mendimin tim, ndryshimi tragjik që pëson Kalina gjatë romanit. Pas leximit të parë, vajta në shtëpinë botuese “Vremea” (që është një nga më dinjitozet tek ne, në Rumani) dhe fola me drejtoreshën, zonja Silvia Kolfesku. Ajo më tha se kishte ndërmend të dilte me “Panteonin...” në Panairin e Librit “Gaudeamus”, në fund të nëntorit. Biseda u bë në shtator dhe në fund të tetorit Kalina fliste rumanisht! Kjo është historia e shkurtër e versionit rumun. Dua t’ju them gjithashtu se në panair romani u konsiderua një best-seller, se revista “Rumania letrare” riprodhoi një fragment të gjerë nga vepra, se botuam te “Miku i shqiptarit” disa faqe e kështu me radhë.
Si shpjegohet kjo, mund të pyesë ndokush? Përgjigja nuk është e vështirë për t’u dhënë. Rumunët kanë patur pak a shumë të njëjtin regjim politik si shqiptarët: një diktaturë komuniste primitive, që izoloi vendin dhe e mbajti larg ndikimeve të perëndimit demokratik. Njëlloj si tek ju me Nexhmijen, gruaja e diktatorit rumun, Elena, pati një influencë djallëzore mbi Çausheskun. Por, sido që të jetë, Rumania ka qenë një vend shumë më i zhvilluar në krahasim me Shqipërinë, me kulturë, traditë demokratike, etj. Ashtu që ne “krenoheshim”, në atë kohë duke bërë shaka, se nuk jemi vendi më i prapambetur në Europe, por se ky “nder” i përkiste Shqipërisë. Prandaj, një libër që flet për një regjim akoma më gjakatar sesa ai i Rumanisë mund të zgjoje tek ne kureshtje të madhe. Nuk kanë kaluar shumë ditë nga promovimi i librit neë panair, prandaj nuk mund të them se është edhe një sukses komercial, por lexuesi e ka pritur me shumë kureshtje.
Në të njëjtën ditë, një shtëpi botuese tjetër e Bukureshtit, “Humanitas”, promovoi në panair librin “Zonja e zezë, Nexhmje Hoxha”. Pra Fahri Balliu, që ishte i pranishëm në këto dy veprimtari, pati një ditë të ngjeshur dhe të bukur. Kemi ndërmend, gjithashtu, të organizojmë në shkurt të vitit të ardhshëm, në Bukuresht, një simpozium kushtuar letërsisë antikomuniste të vendeve të Lindjes, me pjesëmarrjen e disa shkrimtarëve të këtij rajoni.