E Diel, 1 Nëntor 2026

BE mbyll bisedimet, Rama e Berisha anulojnë fluturimet.

18/06/2010 Bashkimi Evropian letër dy krerëve të PD-së dhe PS-së për krizën politike

Prioritet, puna për reformën zgjedhore

Negociatat për transparencë të ezauruara

Bashkimi Evropian e konsideron të mbyllur çështjen e negociatave mes dy partive kryesore në vendin tonë lidhur me transparencën e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Për më tepër, diplomacia evropiane nuk ka harruar të këshillojë drejtuesit politikë të Shqipërisë të nisin punën për hartimin e reformës së re zgjedhore. Ndërkohë, për shkak të një qëndrimi të tillë të BE-së, krerët Rama e Berisha anulojnë fluturimet e tyre drejt Brukselit. Nga ana e tij, kryetari i PS-së i drejtohet SHBA-ve për të garantuar mbështetje, e cila do të bënte të mundur realizimin e kërkesës për hapjen e kutive të fletëve të votimit.

Qëndrimi

Klasa politike në vend të nisë punën për reformën zgjedhore, duke e parë si një nga prioritetet e punës së saj. Ky është qëndrimi më i fundit i ardhur nga Bashkimi Evropian, në një letër drejtuar dy drejtuesve të partive kryesore në vend, përkatësisht kreut të mazhorancës, Sali Berisha dhe atij të opozitës, Edi Rama. Burime pranë këtyre dy partive bënë me dije se në këtë qëndrim, Brukseli e cilëson të mbyllur zhvillimin e negociatave mes palëve politike të vendit tonë nën prezencën e drejtuesve të lartë të Parlamentit Evropian. Por njëkohësisht, kjo letër e Brukselit, veç mbylljes që BE-ja i bën procesit të negocimit për transparencën e zgjedhjeve të kaluara, solli dhe anulimin e fluturimeve të dyshes Rama-Berisha, të cilët priteshin të niseshin ditën e mërkurë në mesditë drejt kryeqendrës evropiane, me qëllim nënshkrimin e një marrëveshjeje përfundimtare mes tyre, e cila do të mund të zhbllokonte dhe ngërçin ku është futur klasa politike.

Udhëtimi

Drejtues të lartë të Partisë Socialiste nisen sot drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku

Këshilli i Internacionales Socialiste do të mblidhet në datat 21-22 qershor në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork. I pranishëm në këtë mbledhje do të jetë dhe vetë kreu socialist Edi Rama. Por përveç rëndësisë që ka ky takim, ku pritet të miratohen të gjitha rezolutat e miratuara deri më tani nga takimet e mëparshme, si dhe pjesëmarrjes së përfaqësuesve të njohur të politikës ekzekutive në Evropë, të angazhuar plotësisht në zgjidhjen e krizës në vendin tonë, mësohet se kryetari Rama do të zhvillojë bisedime me drejtues të Departamentit të Shtetit Amerikan. Natyrisht që temë e këtyre takimeve pritet të jetë pikërisht kriza politike në vend, kërkesa e PS-së për zgjidhjen e saj, por mbi të gjitha biseda do të konsistojë në krijimin e një lobimi të fortë për të arritur mbështetje lidhur me këtë kërkesë.

Deklarata

“Palët janë takuar me ekipin negociator në Tiranë, Strasburg e Bruksel, dhe kanë paraqitur këndvështrimet e tyre, por ne shprehim keqardhje të plotë që ato nuk i kanë tejkaluar mosmarrëveshjet dhe nuk kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm drejt ambicies evropiane të vendit”, theksohej në deklaratën e Martin Shultz dhe Josef Daul.

Negociatat

Pak kohë më parë, krerët e politikës shqiptare u takuan në Strasburg, ku nën prezencën e diplomatëve evropianë dhanë opsionet e tyre për zgjidhjen e ngërçit politik, për shkak të kërkesës së ardhur nga PS-ja për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. PS-ja nga ana e saj kërkon hapjen e kutive të votimit, kërkesë kjo e refuzuar nga PD-ja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›