E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE me një mision të ri në veri të Kosovës

Një mision i ri i BE-së për veriun e Kosovës do të hap zyrtarisht zyrat e tij në Mitrovicën e veriut, nga fundi i kësaj jave.
Misioni që do të udhëhiqet nga ambasadori italian në Prishtinë, Mikael Gifoni, thuhet se synon të promovojë vlerat evropiane dhe të shtendosë marrëdhëniet ndëretnike në këtë pjesë të Kosovës.
Autoritetet në Kosovë e kanë cilësuar misionin e BE-së si një përpjekje për zhvillimin e demokracisë në Kosovë. Por për serbët e veriut misioni është i papranueshëm meqë, sipas tyre, ai synon zbatimin e planit Ahtisari.
Shtëpia e BE-së, siç është emëruar misioni në veri të Kosovës, mendohet të mbledhë misionet evropiane, përfshirë EULEX-in dhe Komisionin Evropian, me qëllim forcimin e pranisë evropiane dhe rritjes së rolit të saj në veri të Kosovës.
BE-ja ka emëruar nga fundi i vitit të kaluar, si përfaqësues të saj të posaçëm për veriun e Kosovës, ambasadorin italian Mikael Gifoni, dhe brenda kësaj jave pritet ta zyrtarizojë misionin e ri në këtë pjesë të Kosovës.
Ambasadori Gifoni i pati deklaruar BBC-së se do të luaj një rol në lehtësimin e dialogut ndërmjet komuniteteve me qëllim të depolitizimit dhe zgjidhjes të çështjeve të përditshme të qytetarëve.
Shtëpia e BE-së në veriun e Kosovës nuk do të përfshijë Zyrën Civile Ndërkombëtare, dhe zyrtarët evropianë kanë përjashtuar mundësinë që ajo të ketë lidhje me një strategji të autoriteteve të vendit dhe atyre ndërkombëtare për integrimin e veriut të Kosovës.
Por, misioni është kundërshtuar nga udhëheqësit e serbëve të veriut të Kosovës, meqë sipas tyre popullata serbe nuk është konsultuar për vendosjen e tij, dhe sipas tyre, ai ka për synim zbatimin e planit Ahtisari, që parasheh pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovës.
Ndërkohë, misioni i BE-së në veri është cilësuar si pozitiv nga drejtues të institucioneve të Kosovës, që thonë se ai mund të ndihmojë në demokratizimin e shoqërisë kosovare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›