BE ndalon importin e mishit nga Brazili, Shqipëria nga 3 shtatori zbaton kufizimet e reja

TIRANË, 3 shtator/ATSH/ Nga sot kanë hyrë në fuqi kufizimet për importin e mishit nga Brazili, pas ndryshimeve të miratuara nga Bashkimi Europian dhe të reflektuara edhe nga vendi ynë.
Brazili u hoq nga lista e vendeve të autorizuara për disa kategori produktesh me origjinë shtazore, pasi Komisioni Europian deklaroi se nuk kishte marrë garancitë e nevojshme për shkak të përdorimit të medikamenteve veterinare që rrisin masën muskulare të kafshëve.
Në zbatim të ndryshimeve evropiane, edhe Shqipëria ka reflektuar kufizimet për importet nga Brazili. Sipas Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, masa prek veçanërisht mishin e gjedhit dhe të shpendëve.
AKU sqaron se ngarkesat për të cilat certifikata zyrtare shëndetësore veterinare është nënshkruar dhe/ose lëshuar përpara 3 shtatorit 2026 do të vijojnë të pranohen, edhe në rast se mbërrijnë në territorin shqiptar pas kësaj date.
Brazili është një prej furnizuesve të rëndësishëm të tregut shqiptar me produkte mishi. Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë janar-korrikut 2026 në Shqipëri u importuan rreth 28,1 mijë tonë mish dhe të brendshme të ngrënshme, nga të cilat rreth 9,2 mijë tonë erdhën nga Brazili.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit deklaron se do të vijojë monitorimin dhe zbatimin e kërkesave ligjore, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.
/e.xh/r.e/