E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut forcojnë bashkëpunimin në aviacionin civil

TIRANË, 3 shtator/ATSH/ Autoritetet e Aviacionit Civil të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut kanë nënshkruar një Marrëveshje Bashkëpunimi Teknik, me synim forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe shkëmbimin e ekspertizës në fushën e aviacionit.

Marrëveshja u nënshkrua në Shkup, në kuadër të diskutimeve për të ardhmen e aviacionit në Europën Juglindore, me pjesëmarrjen e Eurocontrol dhe përfaqësuesve të vendeve të rajonit.

Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) vlerëson se rritja e trafikut ajror dhe ndryshimi i flukseve për shkak të zhvillimeve gjeopolitike kërkojnë rritjen e kapaciteteve, reziliencës dhe bashkëpunimit mes vendeve të rajonit.

Sipas AAC-së, për Shqipërinë, ndër prioritetet janë zhvillimi i kapaciteteve aeroportuale dhe i hapësirës ajrore, modernizimi i menaxhimit të trafikut ajror, si dhe forcimi i bashkëpunimit civilo-ushtarak.

AAC-ja bën të ditur se, marrëveshja me Maqedoninë e Veriut përbën një hap konkret për shkëmbimin e ekspertizës, zhvillimin e kapaciteteve dhe përmirësimin e bashkëpunimit rajonal në aviacion.

“Në kushtet e një sistemi gjithnjë e më të ndërlidhur, sfidat e aviacionit nuk përfundojnë në kufijtë kombëtarë”, thekson AAC.

/e.xh/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›