BE në mision të ri, Shpindeleger dhe Lajçak sot në Shkup

Ministrat e Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajçak dhe ai i Austrisë, Mihael Shpindeleger sot qëndrojnë për vizitë në Maqedoni.
Burime qeveritare në Shkup deklaruan për agjencinë e lajmeve INA se dy ministrat e lartë evropian vijnë në një mision të ri diplomatik nën patronazhin e Bashkimit Evropian, me qëllim shqyrtimin e proceseve eurointegruese të Maqedonisë dhe zhbllokimin e procesit për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë.
Dy ministrat Lajçak dhe Shpindeleger do të takohen me presidentin e vendit, Gjorgje Ivanov, ministrin e jashtëm Nikolla Popovski, kryetarin e Parlamentit Trajko Veljanovski, si dhe me liderët e partive më të mëdha politike LSDM, BDI dhe deputetë të Komisionit parlamentar për politikë të jashtme.
Kjo është ndër vizitat e para të dy ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) në Maqedoni. Vizita vjen në një periudhë pas zgjedhjes së Qeverisë së re greke dhe vazhdimit të provokimeve të autoriteteve të Shkupit lidhur me kontestin e emrit përballë Greqisë.