Kosovë, Kuçi kthehet sërish në detyrë

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, është kthyer zyrtarisht në postet e mëparshme qeveritare. Sot ai është rikthyer në zyrën e tij në Ministrinë e Drejtësisë të cilën e ka “braktisur” para tre javëve kur ka dhënë dorëheqjen.
Sipas mediave kosovare, takimin e tij të parë pas rikthimit, Kuçi e ka zhvilluar me shefin e EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac, ku I ka arsyetuar këtij të fundit edhe rikthimin e tij në detyrën e ministrit të Drejtësisë dhe zëvendëskryeministrit.
“Pas takimeve që kam zhvilluar me Kryeministrin Thaçi dhe me Kryeparlamentarin Krasniqi, jam kthyer në detyrat e mëparshme. Ky është takimi im i parë zyrtar pas dorëheqjes sime”, ka deklaruar Kuçi në një prononcim të shkurtër pas takimit me Shefin e EULEX-it, Xavier de Marnhac.