BE ne rrugen e duhur drejt rimekembjes

Presidenti i KE Jose Manuel Barroso ka shprehur besimin se BE është në rrugën e duhur drejt rimëkëmbjes, pavarësisht krizës në Eurozonë e zvarritur nga kriza e gjatë ekonomike në Greqi.
“Besoj se përkundër të gjitha këtyre vështirësive ne jemi në rrugën e duhur dhe unë po ju përcjell një mesazh besimi. Jemi me të vërtetë duke bërë një reformë rrënjësore në bilancet tona dhe në politikat ekonomike e përtej zërave dhe arrogancës ne jemi duke bërë progrese të mira për një rimëkëmbje të shëndosh ekonomike dhe rritje të qëndrueshme”, vlerësoi Barroso.
Sipas tij, KE do të kishte preferuar një përgjigje më të shpejt dhe më të guximshme. Ky është roli ynë si KE, një organ i pavarur me të vërtetë mbikombëtar, ka thënë Barroso. Kreu i KE është duke marrë pjesë në debatin e një niveli të lartë teknik mbi gjendjen e ekonomisë dhe financave botërore për vitin 2012 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku bëjnë pjesë ministrat e vendeve emergjente të Europës, Lindjes së Mesme, Afrikës dhe Amerikës Latine.
Duke iu referuar situatës në Greqi, Barroso ka thënë se kriza e gjatë ekonomike u shndërrua në një krizë të plotë politike, pasi palët përballë kushteve për ndihmën me 130 mld euro nga ndërkombëtarët, votuan kundër më 6 maj duke e lënë vendin pa një qeveri dhe duke shtuar shanset që marrëveshja të shfuqizohet.
“Reduktimi i borxheve dhe deficiteve është thelbësore për të ndërtuar besimin dhe për të ulur kostot e huamarrjes. Çdo euro e shpenzuar për pagimin e interesave është një euro më pak për punën dhe investimet”, u shpreh ai.
Barroso ka thënë se është e qartë se për tu fokusuar tek rritja dhe rikthyer besimin, BE ka nevojë për një konsolidim fiskal, reforma strukturore dhe rritje të investimeve.
Një ditë më parë presidenti i KE u është drejtuar grekëve me një mesazh duke thënë se a ardhmja e tyre varet nga vendimet që ata do të marrin, duke i këshilluar të jenë të kujdesshëm dhe të ndërgjegjshëm në zgjedhjet e ardhshme pasi kanë një domethënie historike, ku do të vendoset nëse ata duan të vijojnë bashkëpunimin me vendet e Eurozonës dhe institucionet europiane.