Ja sa rriten pagat dhe pensionet, tabela në lekë
Kryeministri Berisha ka premtuar në mbledhjen e djeshme të qeverisë se do të rrit rrogat dhe pensionet duke nisur që nga data 1 korrik e këtij viti. Sipas kryeministrit rritja e pagave do të jetë në masën 5 për qind për rrogat e ulëta të administratës publike, ndërsa pensionet e qytetit dhe fshatit do të pësojnë një rritje në masën 4 deri në 5 për qind.
Pensionet
Kryeministri Sali Berisha bëri me dije se Ministria e Financave pavarësisht sugjerimit të ndërkombëtarëve për mos rritjen e pensioneve ka parashikuar një rishpërndarje të re të fondeve ku pensionet minimale në qytet do të kapin vlerën e 13 mijë lekëve. Nga ky vendim priten të përfitojnë 800 mijë familje shqiptare. Kjo rritje bëhet në kohën më të vështirë, në një nga kulmet e krizës së euros, së borxheve, të cilat në mënyrë të padiskutueshme kanë ndikuar dhe ndikojnë dhe në ekonominë shqiptare, tha kryeministri Berisha.
Rritja ekonomike
Sa i përket shifrave të rritjes ekonomike në vendin tonë Berisha ka shtuar se rritja ekonomike në Shqipëri është në ritmet e duhura. Rritja mesatare e ekonomisë, mbi 3 për qind. Siç fakton Komisioni Europian në raportin e tij të fundit, rritja ekonomike në Shqipëri natyrisht nuk ka ritmet e viteve 2006-2008, por rritja ekonomike sipas raporti në 4 vitet e fundit kulmore të krizës është 4 herë më e madhe se mesatarja e rajonit. ka theksuar Berisha.
Papunësia
Deklaratat për 1 milionë të papunë në Shqipëri, Berisha i cilësoi si një luftë e kryesocialistit Edi Rama me mullinjtë e erës. Të deklarosh 1 milionë të papunë në Shqipëri do të thotë të mos kesh as dhe njohuritë më elementare për punën dhe punësimin. E theksoj dhe njëherë, të krijon përshtypjen se ky njeri ka ngelur në stadin e bojërave dhe ngjyrave. Nuk është e vërtetë që ka ngelur në atë stad, se këto i ka për propaganda dhe qëllime të veta, u shpreh Berisha.
Pagat e mësuesve
Në gjashtë vitet e fundit, pensionet minimale në qytet janë rritur në masën 64 për qind. Sa i përket pagës mesatare të mësuesve të shkollave të mesme ajo do të jetë 58 mijë lekë, për arsimtarët e shkollave 9-vjeçare do të jetë 50 mijë lekë. Ndërsa për mjekët paga mesatare në korrik të këtij viti do të shkojë në 57 mijë lekë. Ajo që qeveria nuk ka vendosur ende është nëse do të rris rrogat e larta në administratë apo jo. Në rast se do të ketë rritje për këtë kategori, ajo do të jetë jo më shumë se 1 për qind.
Tabela e rritjes së pagave dhe pensioneve
5 % do rriten pagat e ulëta
1 % do rriten pagat e larta
4 % do rriten pensionet
58 mijë lekë bëhet paga e mësuesve në gjimnaze
50 mijë lekë bëhet paga e mësuesve në 9-vjeçare
57 mijë lekë bëhet paga mesatare e mjekëve
36 mijë lekë bëhet paga e infermierëve
13 mijë lekë bëhet pensioni minimal në qytet