E Diel, 1 Nëntor 2026

BE ofron marrëdhënie të ngushta me fqinjët lindorë

Bruksel - Bashkimi Evropian aprovoi dje planet për konsolidimin e marrëdhënieve me Ukrainën dhe Gjeorgjinë dhe katër ish-republika sovjetike, një vendim që pritet të irritojë Rusinë. Liderët e BE-së theksuan përmes një deklarate të përbashkët se blloku 27-anëtarësh duhet të sigurojë një ndihmë të përgjithshme financiare prej 600 milionë eurosh deri në vitin 2013 për të gjashtë fqinjët lindorë, ku përfshihen edhe Azerbajxhani, Armenia, Moldavia dhe Bjellorusia, dhe të angazhohet për një bashkëpunim më të ngushtë me këto vende për furnizimin me energji.

Diplomatët evropianë deklaruan se skema e ndihmës në kuadër të programit të BE-së për Partneritetin Lindor për shtetet joanëtare, u aprovua pavarësisht përpjekjeve nga disa vende të Evropës jugore për të mos përfshirë shifrën e ndihmës financiare për këto vende në deklaratën e samitit.

"Ne arritëm të fillojmë Partneritetin Lindor ... Kjo është një fitore, jo vetëm për vendet në fjalë, por edhe për vetë Bashkimin Evropian", deklaroi ministri i Jashtëm çek, Karel Schëarzenberg, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-së deri në fund të qershorit. Ndërkohë deklarata e samitit ofronte një perspektivë të paqartë lidhur me liberalizimin e vizave me gjashtë ish-republikat sovjetike.

Në bazë të kësaj skeme ndihme, BE-ja do të negociojë marrëveshje të reja, kushtet e bashkëpunimit me vendet joanëtare si shpërblim për reformat demokratike dhe të tregut të lirë. Programi përfshin krijimin gradual të një zone të tregtisë së lirë me këto vende.

Edhe pse skema është modeste dhe nuk ofron një perspektivë të anëtarësimit në BE, ajo pritet të shkaktojë zemërimin e Rusisë, pasi Moska i konsideron këto gjashtë vende si pjesë të sferës së saj tradicionale të influencës, theksuan diplomatët evropianë.

Rusia ka kundërshtuar gjithashtu edhe aspiratat e Gjeorgjisë dhe Ukrainës për t'u anëtarësuar në NATO.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›