E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, paketë financiare për t’iu përgjigjur krizës ekonomike edhe në vendet e rajonit

Qeveria shqiptare do të bëjë përpjekje që nduhma e dontorëve të përdoret në mënyrë efikase

Leigh konfirmon se "në kuadër të (IPA) vendet e rajonit do të përfitojnë 150 milionë euro dhe më pas do të akordohen edhe 600 milionë euro nga institucionet financiare ndërkombëtare.

Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian, Michael Leigh, deklaroi sot se "Bashkimi Europian ka përgatitur një paketë për t'iu përgjigjur krizës ekonomike në vendet anëtare, por edhe për të ndihmuar vendet partnere në rajon që të përballen me këtë sfidë". Nën kujdesin e Qeverisë shqiptare dhe Komisionit Europian, nisi sot punimet dyditore në Tiranë, Konferenca Rajonale e Donatorëve në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi, në hapje të së cilës, zoti Leigh vuri në dukje se "paketa antikrizë e BE-së për vendet e rajonit mobilizon 150 milionë euro në kuadrin e Instrumentit të Paraaderimit (IPA), dhe më vonë akordon 600 milionë euro nga institucionet financiare ndërkombëtare".

Duke vlerësuar rëndësinë e kësaj konference, zoti Leigh veçoi qëllimin e saj për "ta bërë sa më efektive ndihmën e huaj për vendet e rajonit". Në këtë drejtim, ai u shpreh se "është e rëndësishme që paratë e taksapaguesve të vendeve donatore të përdoren për arritjen e rezultateve pozitive. Ne po takohemi sot këtu në një rrethanë tjetër sfiduese që ka të bëjë me krizën finanicare dhe recensionin që është një realitet që ne e përjetojmë. Impakti i kësaj situate ndihet jo vetëm në Bashkimin Europian dhe te vendet donatore, por edhe te vendet partnere", tha zoti Leigh. Kjo konferencë, sipas tij, do të fokusohet në 3 sektorë kryesorë që synojnë "marrjen e informacionit të dorës së parë nga vendet partnere për funksionimin e mekanizmave të donatorëve, rishikimin e rezultateve të koordinimit të donacioneve dhe standardizimin e përpjekjeve bazuar në praktikat më të mira dhe kontekstin e klimës aktuale financiare".

Gjatë fjalës së tij, zoti Leigh vlerësoi se "me anëtarësimin në NATO dhe hyrjen në fuqi të MSA-së, Shqipëra ka vendosur një gur kilometrik në progresin e realizuar në proceset integruese. Shqipëria, si vendi organizator përfitues ka një rol të rëndësishëm dhe në rritje që ka marrë vetë udhëheqja e vendit, duke respektuar kodin e sjelljes gjatë udhëheqjes së procesit të donacioneve", u shpreh zoti Leigh. Në Konferencën dyditore të Koordinimit të Donatorëve për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë, që po organizohet në Tiranë, marrin pjesë 200 përfaqësues të Institucioneve Financiare Ndërkombëtare, donatorë nga vendet anëtare të BE-së si dhe vendet jo anëtare, organizata të Kombeve të Bashkuara dhe përfaqësues nga Ballkani Perëndimor e Turqia, si dhe nga delegacionet e KE-së në rajon. Në Konferencën e Koordinimit të Donatorëve, të mbajtur në Bruksel më 23-24 tetor 2008, u vendos që takime monitoruese të koordinimit të ndihmës së huaj të mbahen në rajon në çdo gjashtë muaj dhe Shqipëria është vendi që  organizon takimin e parë. Konferenca do t'u japë pjesëmarrësve mundësinë të ndajnë praktikat më të mira në lidhje me koordinimin e ndihmës së huaj, progresin e bërë në rajon, vështirësitë e hasura dhe planet për të çuar më tej koordinimin e donatorëve. Nga ana tjetër, KE do të shohë mundësitë për racionalizimin e modaliteteve financiare të ndihmës së huaj, efektiviteti i së cilës ka qenë në fokusin e Qeverisë dhe të donatorëve që operojnë në Shqipëri. Një nga objektivat kryesorë të Sistemit të Planifikimit të Integruar, që qeveria shqiptare po zbaton që nga viti 2005, është përputhshmëria më e madhe e ndihmës së huaj me prioritetet kombëtare strategjike dhe procesin e përgatitjes së buxhetit. Të gjitha këto përbëjnë një kuadër parimesh që sigurojnë që planifikimi dhe zbatimi i politikave qeveritare të realizohet në mënyrë koherente, efikase dhe të integruar. Që nga ngritja e Departamentit të Bashkërendimit të Strategjive dhe Koordinimit të Ndihmës së Huaj në vitin 2005 në Këshillin e Ministrave, progres i konsiderueshëm është arritur në rritjen e rolit udhëheqës të qeverisë në koordinimin e ndihmës së huaj në përputhje me prioritetet kombëtare të përcaktuara edhe në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2007-2013. Konferenca shërben jo vetëm për ndarë eksperiencat më të mira, por edhe për të përcaktuar hapat e mëtejshëm për një koordinim më të mirë, si dhe për të identifikuar masat konkrete në sektorët kyç të zhvillimit të vendit. Koordinimi i donatorëve është çelësi për të përmirësuar efektivitetin dhe fleksibilitetin e ndihmës së huaj. Kjo bëhet edhe më e rëndësishme sidomos për sfidat me të cilat po përballen këto vende si pasojë e krizës financiare. 

Lufta kundër korrupsionit, orjentim kryesor i donacioneve të huaja

Kryeministri Sali Berisha deklaroi në Konferencën Rajonale të Donatorëve, se "lufta kundër korrupsionit dhe reformat në këtë drejtim, duhet të përbëjnë orientimin kryesor të ndihmave që akordohen nga ndërkombëtarët për Shqipërinë dhe vendet e rajonit". Nën kujdesin e Qeverisë shqiptare dhe Komisionit Europian, nisi sot punimet dyditore në Tiranë, Konferenca Rajonale e Donatorëve në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi, e cila synon përmirësimin e efektivitetit të ndihmës së huaj, në një moment kur vendet e rajonit po përballen me pasojat e krizës financiare. Duke u ndalur veçanërisht në orientimin e ndihmës së huaj në Shqipëri, Kreu i Qeverisë shqiptare u shpreh se "përdorimi i donacioneve dhe orientimi i drejtë i tyre sipas përparësive, ka si kusht themelor luftën efikase kundër korrupsionit". Kryeministri Berisha e konsideroi të papranueshme që "paratë e taksapaguesve të vendeve mike të përfundojnë në vorbullën e korrupsionit në vendet tona". Shqipëria dhe rajoni në tërësi, ka bërë një progres të madh në luftën kundër korrupsionit, por Kryeministri Berisha cilësoi se kjo luftë duhet të vazhdojë me zero tolerancë. Ai ftoi donatorët që ndihmën ta adresojnë në projekte që vendosin standardet më të mira të vendeve tuaja, që duhet të kenë si qëllim të parë, luftën me zero tolerancë kundër korrupsionit dhe reformat që parandalojnë korrupsionin. Duke i konsideruar inkurajuese rezultatet e Shqipërisë në këtë drejtim, Kryeministri Berisha informoi se "bazuar në këtë luftë, gjatë këtyre 4 viteve, buxheti i kësaj qeverie ka patur së paku 4.5 miliardë dollarë më shumë se sa në vitet  pararendëse". Këto kanë ardhur, siç u shpreh z. Berisha, nga shkurtimi i shpenzimeve operative të administratës nga 3.2 në 2 për qind të GDP, por edhe sepse janë ndaluar plotësisht prokurimet direkte dhe sot tha ai “jemi vendi i vetëm me prokurime tërësisht elektronike". Lufta kundër korrupsionit në sistemin e taksave dhe tatimeve për Kryeministrin Berisha mbetet shumë e rëndësishme, pasi, sipas tij, "invazioni, informaliteti dhe kontrabanda kanë si bazë korrupsionin.  Me reformat e thella që morëm në taksa dhe tatime, pavarësisht uljes dramatike të tyre, çdo vit të ardhurat janë rritur me 22 për qind dhe qeveria ia ka dalë të dorëzojë në parlament një buxhet të dytë", u shpreh Kryeministri, duke pranuar ndërkohë se "pavarësisht rezultateve inkurajuese korrupsioni mbetet sërish një problem serioz dhe i përhapur në Shqipëri".  Ai shprehu gatishmërinë e Qeverisë për t'u përballur me këtë fenomen, ndërsa vuri në dukje se "edhe privatizimi i të gjitha korporatave të mëdha të vendit, kishte si qëllim kryesor luftën kundër korrupsionit në këto korporata". Kryeministri vlerësoi si një prioritet të Qeverisë edhe sektorin e arsimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm rural në Shqipëri, duke kërkuar në këtë drejtim mbështetjen e donatorëve. Për sa i përket projekteve rajonale, Kryeministri Berisha kërkoi ndihmën e ndërkombëtarëve në infrastrukturë, pasi, sipas tij, "vendet e rajonit trashëgojnë një infrastrukturë lidhëse ndër më të vjetrat dhe të papërshtashmet në Europë". Duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në procesin e integrimit, Kryeministri Berisha u shpreh se "këto procese na ndihmojnë të shkëputemi me shpejtësi nga një e shkuar që realisht ishte shumë e hidhur dhe bashkojnë përpjekjet tona për një zhvillim më të shpejtë. Konferenca rajonale mblidhet në një moment stuhie botërore në rrafshin financiar dhe ekonomik dhe në këtë aspekt ajo merr një rëndësi të veçantë për Shqipërinë dhe mbarë rajonin", u shpreh Kryeministri. Sipas tij, "konferenca synon jo vetëm të ofrojë ndihmën bujare të donatorëve, por fton edhe vendet tona të bëjnë çdo përpjekje për një përballje rajonale ndaj parandalimit dhe minimizimit të pasojave të kësaj krize, që në shumë mënyra do të prekë dhe ka prekur dhe rajonin tonë". Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Berisha vlerësoi edhe ndihmën e veçantë të ndërkombëtarëve në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe hyrjen në fuqi të MSA-së. "Shqipëria më 4 prill do të jetë anëtare e NATO-s, ndërsa dje hyri në fuqi MSA-ja. Këto ngjarje të mëdha do të ishin të pamundura pa bujarinë, solidaritetin dhe mbështetjen e huaj", deklaroi Kryeministri, duke theksuar se "këto ngjarje të mëdha të një rëndësie epokale për Shqipërinë do të ishin shndërruar në një horizont të pakapshëm pa ndihmën dhe solidaritetin e jashtëzakonshëm të ndërkombëtarëve". Sipas tij,  "kjo mbështjetje ka qënë dhe për vendet e tjera të rajonit në rrugën e tyre të ndërtimit të demokracisë e ekonomisë së tregut". Në vitin 1992 Shqipëria ishte pothuajse në vakum të plotë, pasi siç u shpreh z. Berisha ishte vendi i të ardhurave për frymë 204 dollarë dhe ku kishte bunkerë 3 herë më shumë se sa apartamente. “Shqipëria ishte vendi i një kolapsi total në industri", tha Kryeministri, duke shtuar se "me një përllogaritje të përafërt, ndihma e ndërkombëtarëve gjatë këtyre viteve në Shqipëri i tejkalon 5 miliardë euro".

Fjala e Plotë e kreyministrit Berisha

“Është një kënaqësi e veçantë për mua t’i adresohem sot kësaj audience dhe të përshëndes këtë konferencë rajonale, që përbën një ngjarje shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe për rajonin. Konferenca me donatorët është një rast shumë i veçantë për t’u shprehur atyre mirënjohjen më të thellë, falënderimet më të përzemërta për bujarinë që ata kanë dëshmuar, për ndihmën e jashtëzakonshme që ata i kanë dhënë Shqipërisë, por në tërësi edhe vendeve të rajonit, në rrugën e tyre të ndërtimit të demokracisë dhe ekonomisë së tregut.

Në datën 4 prill, Shqipëria shpallet përfundimisht vend anëtare e NATO-s. Dje, u depozituan dokumentet pranë Departamentit Amerikan të Shtetit. Po dje, hyri në fuqi Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian. Këto ngjarje të mëdha të një rëndësie epokale për Shqipërinë do të ishin shndërruar në një horizont të pa kapshëm, pa bujarinë, pa solidaritetin e jashtëzakonshëm, pa ndihmën aq të madhe dhe të çmuar të vendeve, qeverive dhe taksapaguesve tuaj, institucioneve që ju kryesoni.

Në të gjitha vendet e rajonit, Shqipëria në distancë ka pasur 17 vjet më parë një fillim pothuaj në vakum. Drejtori i Përgjithshëm i Koordinimit dhe Zgjerimit në KE, i cili sot na ka nderuar me pjesëmarrjen e tij këtu, është njëri prej atyre dëshmitarëve se cila ishte Shqipëria e vitit 1992, kur ai erdhi këtu. Unë po rikujtoj për të tjerët se Shqipëria ishte vendi i të ardhurave për frymë 204 dollarë, Shqipëria ishte vendi në të cilën bunkerët ishin 3 herë më shumë se sa apartamentet për qytetarët, Shqipëria ishte vendi i një kolapsi total në industrinë e tij.

Sot, Shqipëria është një vend tjetër. Ajo për pak ditë anëtarësohet në NATO. Për Shqipërinë dje hyri në fuqi MSA. Për të gjitha këto ka pasur një rëndësi përcaktuese ndihma e jashtëzakonshme e juaja, e cila në tërësinë e saj, me një përllogaritje të përafërt, tejkalon 5 miliardë euro.

Në ato vite të para diskutohej për një plan marshall, duke rikujtuar planin marshall që Shtetet e Bashkuara u ofruan vendeve të Europës të rrënuara nga lufta. Jam i sigurt se për Shqipërinë ky ishte një plan marshall i vërtetë.

Ndaj dua edhe njëherë t’ju shpreh, me gjithë zemër, mirënjohjen më të thellë dhe t’i uroj suksese kësaj konference.

Është shumë e rëndësishme që ne  mblidhemi sot këtu si rajon dhe e konsideroj të një rëndësie të dorës së parë bashkëpunimin rajonal. Ne synojmë të bashkohemi dhe të integrohemi plotësisht në Bashkimin Europian dhe proceset integruese kanë qenë dhe mbeten motivi udhëheqës i politikave tona, i përpjekjeve tona për një të ardhme  më të mirë të kombeve dhe vendeve tona. Janë këto procese të cilat po na ndihmojnë ne të shkëputemi me shpejtësi nga një e shkuar e cila ishte realisht mjaft e hidhur, janë këto procese që po bashkojnë përpjekjet tona për një zhvillim shumë më të shpejtë.

Konferenca mblidhet në një moment stuhie botërore në rrafshin financiar dhe ekonomik. Edhe në këtë aspekt, kjo konferencë merr një rëndësi të veçantë, për Shqipërinë dhe mbarë rajonin. Ajo, jo vetëm ofron ndihmën bujare të donatorëve, por fton vendet tona të bëjnë çdo përpjekje për një përballje rajonale të parandalimit apo minimizimit të pasojave të kësaj krize,e cila në një mënyrë apo një tjetër, do të prekë dhe ka prekur dhe rajonin tonë.

Zonja dhe zotërinj!

Taksapaguesit e vendeve tuaja, me bujari të madhe, kanë dhënë dhe japin ndihmën për vendet tona, konkretisht edhe për Shqipërinë. Në këtë raport, do të doja të theksoja se, vendimtare për shfrytëzimin rajonal të kësaj ndihme, por edhe për përgjegjësinë e madhe të përdorimit të saj, është koordinimi më i mirë, adresimi i saj në projekte. Faktikisht kjo po ndodh. Mund të numëroj këtu me dhjetëra e dhjetëra  projekte, të cilat me impaktin e tyre, po ndryshojnë progresivisht Shqipërinë. Përdorimi donacioneve, orientimi i drejtë i tyre sipas përparësive, ka një kusht themelor; luftën efikase kundër korrupsionit.

Është e pafalshme, e pa pranueshme, që paratë taksapaguesve të vendeve mike të përfundojnë në vorbujt e korrupsionit të vendeve tona. Shqipëria dhe rajoni në tërësi, ka bërë një progres  të madh në luftën kundër korrupsionit. Por gjykoj se, duke e shpallur atë si një “kancer”, kjo luftë duhet të vazhdojë me zero tolerancë. Në këtë kontekst, unë t’ju ftoja që para së gjithash, ndihmën ta adresoni në projekte që vendosin standardet më të mira të vendeve tuaja në vendet tona, projekte të cilat duhet të kenë si qëllim të parë luftën me zero tolerancë ndaj korrupsionit, reformat që parandalojnë korrupsionin.

U ndala në këtë pikë, sepse shembujt dhe rezultatet e Shqipërisë unë i konsideroj inkurajuese. Ju bëj me dije se, bazuar në këtë luftë, në këto katër vite, buxheti i qeverisë sime ka pasur së paku 4.5 miliardë dollarë më shumë sesa në vitet pararendëse. Këto kanë ardhur së pari nga shkurtimi i shpenzimeve operative të administratës, nga 3.2  në 2 për qind të GDP-së. Duhet një kujdes i madh, sepse administrata përbën një rrezik të madh për shpërdorimin e parave publike, edhe në mënyrë të pakuptueshme, edhe duke fjetur, ndaj fryrja e saj, mosrespektimi i kritereve të saj, duhet mbajtur gjithmonë në fokus dhe në vëmendje.

Qeveria ime ia doli këto katër vite të ketë rreth 4.5 miliardë dollarë më shumë disponibël, sepse ajo ndaloi tërësisht prokurimet direkt. Sot, në sajë të një projekti të USAID-it, është, në dijeninë time, i vendi i vetëm me prokurime tërësisht elektronike. Në këtë proces janë kursyer nga 15 deri në 20 për qind, sipas vitit të kostos së përgjithshme të prokurimeve publike. Por ka pasur efekte jashtëzakonisht shumë pozitive. Gjykoj se është përpjekja jonë në luftën kundër korrupsionit në sistemin e taksave dhe tatimeve, evazioni, informaliteti, kontrabanda, që të gjitha pra kanë si matematriks korrupsionin.

Krahas reformave të thella që morëm, në sistemin e taksave dhe tatimeve, ne ulëm edhe taksat. Ne ndërmorëm një ulje dramatike të taksave. Këto faktojnë faktin që çdo vit të ardhurat të rriten me 22 për qind, çdo vit qeveria ime të dërgojë në parlament një buxhet të dytë.

Unë ju siguroj se këto rezultate vërtetë janë inkurajuese, por sërish korrupsioni mbetet një problem serioz për vendin, sërish korrupsioni mbetet një problem i hapur në vendin tim. Dhe për këtë arsye, ne jemi të vendosur të përballemi me të, kemi pasur një ecuri të mirë vitin e kaluar dhe po përpiqemi shumë të ecim më tej. Ne privatizuam të gjitha korporatat e mëdha të vendit. Unë ju garantoj se qëllimi i parë i yni në këto privatizime ka qenë lufta kundër korrupsionit në këto korporata. Këtu sot, kemi edhe përfaqësuesit e Bankës Botërore, të cilëve në mënyrë të përsëritur u deklaroja se këto korporata janë trupa të korruptuar dhe të pashpresë në rast se nuk i privatizojmë. Kjo ishte një mënyrë shumë efikase në këtë drejtim. Natyrisht, lufta kundër korrupsionit kërkon me çdo kusht penalizmin e përgjegjësve dhe kjo ka ndodhur dhe do të ndodhë në mënyrë të përsëritur në Shqipëri.

U ndala pak në këtë çështje sepse përdorimi i ndihmave tuaja bujare duhet të përbëjë një përgjegjësi shumë të madhe për çdo zyrtar dhe qeveritar në vendet tona.

Në këtë konferencë rajonale, do të bëja apel që për vitet që vijnë të përqendrohemi në projektet rajonale. Vendet tona trashëgojnë një infrastrukturë lidhëse ndër më të vjetrat dhe  më të pa përshtatshmet në Europë. Ne po bëjmë përpjekje të mëdha për ta ripërtërirë atë, por sërish ndihmat tuaja në drejtim të infrastrukturës dhe projekteve rajonale, jam i sigurt se do të kenë impaktin më të gjerë dhe më pozitiv.

Në prioritetet e vendit tim, arsimi është dhe do të mbetet prioriteti i parë. Ne jemi komb i ri, komb me një numër shumë të madh shkollarësh në proporcion me kombin. Ne kemi dyfishuar buxhetin për arsimin dhe duhet të ecim më tej në këtë rrugë. Unë do të mirëprisja çdo ndihmë nga vendet tuaja, në mënyrë që arsimi i vendit tim dt arrinte nivele dhe standarde që do të ndihmonin Shqipërinë, do të shpejtonin zhvillimin e saj.

Zhvillimi i qëndrueshëm rural është një prioritet madhor i qeverisë sime. Shqipëria ka pasur një trashëgimi rurale ndër më të vështirat. Ne po përpiqemi dhe  po investojmë shumë në këtë drejtim, por vlerësojmë shumë edhe ndihmën e vendeve tuaja, në mënyrë që zonat tona rurale të kapërcejnë atë prapambetje të madhe që kanë trashëguar dhe të mund të gëzojnë edhe ato infrastrukturën dhe shërbimet që meritojnë.

Reformat në tërësi janë dhe mbeten një përparësi dhe ashtu siç provon historia dhe aktualiteti, perpeto mobile janë vetëm ato. Nëse do të kishin udhëhequr reformat, kjo krizë financiare nuk do të vinte. Ndaj leksioni më i madh i kësaj krize për çdo qeveri të çdo vendi, ndër më të zhvilluarit e deri në ato më pak të zhvilluara, është se reformat janë dhe mbeten perpeto mobile e veprimtarisë së tyre.

Dua ta mbyll fjalën time duke  ju falënderuar edhe njëherë që keni zgjedhur Tiranën si kryeqytet të donatorëve, me organizimin e kësaj konference. Dua t’ju siguroj se do të bëj çdo përpjekje që ndihma, bujaria dhe solidariteti të përdoret nis mënyrën më eficente për qytetarët shqiptarë. Faleminderit!”

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›