E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi miratoi sot ndryshimet në ligjin “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë”


Kuvendi miratoi me 71 vota pro, 30 kundër dhe 1 abstenim, disa ndryshime në ligjin "Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist". Në seancën e sotme deputetët votuan p/ligjin në tërësi, i cili ishte miratuar në parim dhe nen për nen në seancën e 30 marsit, vetëm me votat e maxhorancës, pasi opozita nuk mori pjesë në votim.  Projektligji me 14 nene, vjen si propozim i Ministrisë së Drejtësisë, në mbështetje dhe plotësim të iniciativës ligjore të deputetit të PD-së, Astrit Bushati. Ai parashikon dëmshpërblim për familjarët e viktimave të ekzekutuara padrejtësisht pa gjyq, për motive politike, gjatë periudhës 30 nëntor 1944 - 1 tetor 1991. Ligji u debatua fort në seancën paraardhëse pasi të dyja palët u deklaruan me qëndrime të kundërta. Kryeministri Sali Berisha e përshëndeti paketën ligjore, e cila sipas tij, vendos një standard të ri e të merituar. Duke e cilësuar draftin një akt ligjor dhe njerëzor ndaj ish-të përndjekurve të regjimit komunist, ai ftoi opozitën të bashkohet me qëndrimin e shumicës. Kryeministri pranoi se projekti ka një faturë jo të thjeshtë, por për vendin dhe shoqërinë është shumë më e rëndë që kjo shtresë të mbikalohet. Ndërsa kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, tha se projektligji dëmshpërblen kolaboracionistët. "Me këtë p/ligj po dëmshpërblehen ata që kanë qënë kolaboracionistë dhe po diskriminohen familjet e dëshmorëve", tha ajo. Ministri i Financave, Ridvan Bode, theksoi se "për dëmshpërblimin e kësaj shtrese qeveria ka vënë në dispozicion rreth 30 milionë dollarë. Janë 1440 dosje të ish-të përndjekurve, të cilët brenda këtij viti do të përfitojnë dëmshpërblimin në vlerën e rreth 980 milion lekë të reja. Kjo shumë do të vihet në dispozion të tyre në mënyrë automatike". Paketa ligjore e propozuar nga dikasteri i Drejtësisë synon të zgjidhë në mënyrë integrale problematikën e dalë nga zbatimi i ligjit në fjalë dhe rivendosjen e së drejtës për kategori të përjashtuara nga përfitimi, sipas parimit të barazisë para tij. Projekti përfshin dëmshpërblimin edhe për ish-të dënuarit që nuk kanë lënë pasardhës në linjë të drejtpëdrejtë, duke e zgjeruar rrethin e përfituesve tek vëllezërit dhe motrat, si dhe fëmijët e këtyre të fundit. Me këtë ndryshim krijohet mundësia e përfitimit edhe për familjarët e klerikëve. Gjithashtu, ndryshimet realizojnë dhe një saktësim të kritereve ligjore që ish-të dënuarit politikë dhe familjarët e tyre duhet të plotësojnë për të përfituar dëmshpërblimin, duke precizuar më mirë veprat penale politike, referuar legjislacionit të kohës, si dhe duke njohur si provë të internimit çdo akt administrativ apo dokument zyrtar që e provon atë.  


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›