BE përballet me skandalin e korrupsionit, arrestohet ligjvënësja e lartë! Von del Leyen: Të krijohet organ i ri i etikës

Bashkimi Europian është tronditur nga skandali i korrupsionit, ku katër persona janë arrestuar nga policia belge, mes të cilëve edhe zëvendëspresidentja e Parlamentit Europian, Eva Kaili. Emrat e tre personave të tjerë të arrestuar nuk bëhen me dije, ndërsa ata akuzohen se kanë pranuar para nga Katari për të patur ndikim në vendimmarrje.
Katari ka mohuar akuzat, ndërsa hetimet po vijojnë. Policia belge ka sekuestruar rreth 600 mijë euro pas 16 kontrollesh në Bruksel, ndërsa Kaili, eurodeputete prej 8 vitesh, u pezullua nga detyra e saj si një nga 14 nënkryetarët. Ajo është pezulluar gjithashtu nga Grupi i Socialistëve dhe Demokratëve në parlament dhe është përjashtuar nga partia e qendrës së majtë greke Pasok.
Vëzhguesit dhe deputetët e opozitës thanë se ky rast mund të përfaqësojë një nga skandalet më të mëdha të korrupsionit në historinë e Parlamentit Evropian.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, reagoi duke thënë se akuzat ishin “shumë serioze” dhe bëri thirrje për krijimin e një organi të ri të etikës së BE-së. Ajo u shpreh se besimi në institucionet evropiane kërkon standardet më të larta etike.
“Është çështje e besimit të njerëzve në institucionet tona dhe ky besim në institucionet tona ka nevojë për standarde më të larta”, tha ajo.
Parlamenti Evropian është i vetmi institucion i BE-së i zgjedhur drejtpërdrejt. Rreth 705 anëtarë të parlamentit, të zgjedhur nga votuesit në 27 vendet që përbëjnë BE-në, takohen për të shqyrtuar legjislacionin e propozuar dhe për të votuar sipas ligjit evropian./ BBC
/rtsh.al/