Lufta në Ukrainë/ Zyrtari amerikan: Rusia po nxjerr stokun e municioneve të vjetruara

Rusët janë duke përdorur stokun e municioneve të vjetruara. Kështu ka deklaruar një zyrtar i lartë ushtarak amerikan, i cili theksoi se Rusia po i kthehet municioneve të vjetra me dekada, pasi ajo po shteron rezervat e saj për pushtimin e Ukrainës.
“Rusët po nxjerrin stokun e municioneve të vjetruara, gjë që sugjeron se ata janë të gatshëm të përdorin këto municione të vjetra, disa prej të cilave janë prodhuar më shumë se 40 vjet më parë“, tha zyrtari, emri i të cilit nuk bëhet me dije.
Nga ana tjetër, Grupi i Shtatë vendeve më të fuqishme të industrializuara (G7) siguroi sot se do të punojnë së bashku për të forcuar aftësitë ushtarake të Ukrainës, duke u fokusuar në fazën e parë në sistemet kundërajrore.
Udhëheqësit e shtatë vendeve theksuan gjithashtu se retorika bërthamore e Rusisë ishte “e papranueshme” dhe se çdo përdorim i armëve kimike, biologjike ose bërthamore do të kishte pasoja të rënda.
“Ne do të vazhdojmë të koordinojmë përpjekjet për të përmbushur nevojat urgjente të Ukrainës për pajisje ushtarake dhe mbrojtëse”, thuhet në deklaratë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, duke folur përmes lidhjes video me udhëheqësit e G7, bëri thirrje që t’i jepen vendit të tij tanke moderne, artileri, dhe raketa me rreze të gjatë./ CNN.gr
/rtsh.al/