BE pezullon sanksionet ndaj Birmanisë

Bashkimi Evropian ka rënë dakort që të pezullojë sanksionet ndaj Birmanisë si shpërblim për reformat që ka ndërmarrë vendi që nga largimi i regjimit ushtarak një vit më parë.
Ministrat e Jashtëm të BE-së, në takimin në Luksemburg ranë dakort që të pezullojnë për një vit të gjitha sanksionet ndaj Birmanisë, përveç asaj për armët, që do të mbetet në fuqi.
Reformat e ndërmarra nga qeveria civile përfshijnë edhe zgjedhjet e këtij muaji, në të cilat liderja pro- demokracisë Aung San Su Ki fitoi një vend në parlament.
Su Ki dhe anëtarët e partisë së saj refuzuan që të marrin pjesë në seancën inauguruese të parlamentit të ri të hënën, për shkak të një kontesti në lidhje me betimin parlamentar.