Samiti i NATO-s, Turqia e vendosur për moslejimin e Izraelit

Turqia ka refuzuar pjesëmarrjen e Izraelit në samitin e NATO-s , që mbahet muajin e ardhshëm, për shkak se shteti hebre nuk ka kërkuar falje për vrasjen e aktivistëve turq në vitin 2010, në një sulm ndaj një anijeje, që po dërgonte ndihma për palestinezët.
Reuters citon një zyrtar turk të ketë thënë se “nuk do të japim pëlqimin për pjesëmarrjen e Izraelit”, ndërsa është pyetur nëse Turqia do të bllokojë pjesëmarrjen e këtij shteti në samitin e NATO-s në Çikago më 20 dhe 21 maj.
Marrëdhëniet mes dy fuqive rajonale janë përkeqësuar shumë, pasi komandot izarelite sulmuan anijen Mavi Marmara në maj të 2010, ku mbetën të vrarë 9 aktivistë turq.
Në shtatorin e kaluar, Turqia ka dëbuar të dërguarin e Izraelit dhe ka ngrirë bashkëpunimin ushtarak pasi një raport i OKB-së mbi sulmin, dështoi të detyrojë Izraelin që të kërkojë falje.